VETTING/ Hijet e dyshimit të konfirmimit në detyrë të Erjon Shehajt! Nga denoncimet, tek akuzat për mungesën e profesionalizmit të kryeprokurorit të Lezhës

EMISIONI VETTING


Në dialogun e zhvilluar midis Sokratit dhe Trasimakut në veprën “Republika” të Platonit në qendër të diskutimit është debati për drejtësinë dhe përkufizimi i saj.

Sipas Trasimakut, drejtësia nuk është asgjë tjetër veçse interesi i më të fortit. Kanë kaluar më shumë se 20 shekuj, por edhe sot e kësaj dite kjo shprehje gjen vend në drejtësinë shqiptare.

Njerëz të papërfaqësuar, të varfër apo të keqinformuar janë të parët që përplasen nëpër burgje me kërkesë të drejtësisë, pa u dhënë vendimi ndërkohë që zyrtarë të lartë të korruptuar vendosen nën arrest vetëm, pasi kanë mbaruar të gjitha afatet. Në rastin më të keq kur dënohen, dënohen shumë pak ndërkohë që dëmi financiar në buxhetin e shtetit dhe impakti social është katastrofik, si rasti me koncesionet e shëndetësisë.

Por do të ishte reforma në drejtësi ajo që do tu jepte shqiptarëve ndjesinë e një sistemi drejtësie të rinovuar dhe pranë qytetarëve, megjithëse procesi i Vettingut do të krijontë ngërç në gjykimin e çështjeve.

Në fund të dhjetorit 2024 u mbyll Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe komisionerët publikë, duke ia kaluar kompetencat për mbylljen e procesit të vlerësimit institucioneve të tjera të sistemit të drejtësisë.

Shtatë vite pas “Vettingut”, nga sistemi i drejtësisë kaluan vetëm 46% e magjistratëve. Pra, nga 805 gjyqtarë dhe prokurorë që kaluan filtrat e Vettingut, vetëm 373 kaluan me sukses verifikimet për pastërtinë e figurës, pasurinë dhe profesionalizmin.

Sipas të dhënave të analizuara nga BIRN rezulton se 430 magjistratë ose më shumë se gjysma e zyrtarëve të drejtësisë u larguan përmes vendimeve të shkarkimit ose dorëheqjeve. Nga këta 268 u shkarkuan në shkallë të parë, 105 të tjerë dhanë dorëheqjen dhe për 49 subjekte u ndërpre procesi pa një vendim përfundimtar.

Sipas avokatëve, procesi i Vettingut solli edhe paralizimin e drejtësisë pasi mungesa e gjyqtarëve dhe prokurorëve vonoi proceset gjyqësore, duke i privuar nga drejtësia shumë qytetarë.

“Nga viti 2016 deri në ditën e sotme në vitin 2025, për rreth nëntë vite sistemi jonë gjyqësor ka qenë jofunksional. Drejtësia jo vetëm nuk ka funksionuar në kohën e duhur, por ajo është duke funksionuar në bazë të interesave të një prokurori apo gjyqtari”, tha për emisionin “Vetting” avokati Arben Llangozi.

Në shtatë vite procesi i Vettingut nxorri në pah me qindra raste kur pasuritë e gjyqtarëve dhe prokurorëve me vlera stratosferike ishin të pajustifikuara, si dhe zbuloi problemet me kualifikimin dhe lidhjet me krimin e organizuar.

Ata që duhet tu kishin dhënë drejtësi shqiptarëve, ata që duhet të kishin realizuar me përulje një mision fisnik rezultuan një fatkeqësi kombëtare, një kosto e cila është e papërllogaritshme.

Kjo pasi një gjyqtar ose prokuror i korruptuar nxjerr nga burgu një drejtues bandash, një zyrtar të korruptuar dhe rrjedhimisht minon sigurinë publike dhe besimin e qytetarit te institucionet. Në 35 vite pluralizëm politik, këto probleme kanë sjellë emigracionin më të madh në vend, duke evidentuar se drejtësia nuk është lluks, kërkesë apo dëshirë, por domosdoshmëri për funksionimin dhe përparimin e shtetit dhe të shoqërisë shqiptare.

Sipas drejtuesit të lëvizjes politike “Nisma thurje” Endrit Shabani, ka raste që grupet kriminale arrijnë të emërojnë Drejtorin e Policisë, arrijnë të influencojnë zgjedhjen e prokurorëve apo të gjyqtarëve.

“Grupi kriminal kërkon që polici, gjyqtari, prokurori të mos bëjë punën e vet, që kur krimineli të vrasi, të vjedhi dhe të kërcënojë, shteti të paralizohet”, tha për emisionin “Vetting” Shabani.

shabani

Por procesi i Vettingut është një proces që ilustroi për herë të parë se si gjurmimi i parasë ekspozon çdo lloj individi që ka pasuri të paligjshme, qoftë ky zyrtar drejtësie apo politikan i lartë.

Nga gjetjet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit u zbulua fshehje e pasurisë, deklarime të rreme, veprime fiktive dhe konflikte interesi. Madje në disa raste magjistratët kanë bërë tentativa për të zvarritur procesin apo të evitonin verifikimet.

Në shtatë vite, procesi i vetingut përfshiu 407 gjyqtarë dhe 331 prokurorë, duke evidentuar se spastrimet kanë qenë më të mëdha te gjyqtarët duke i krahasuar me numrin e prokurorëve.

Rezultatet nga Vettingu zbuluan se thembra e Akilit për ish zyrtarët e drejtësisë ka qenë pasuria. Nga 268 raste shkarkimi nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për 234 subjekte ose 87% e tyre nuk kanë qenë në gjendje të justifikonin pasuritë e tyre.

Nga 407 gjyqtarë që iu nënshtruan vetingut, vetëm 169 prej tyre vazhduan detyrën ndërsa 147 u shkarkuan. Por 91 gjyqtarë u larguan nga procesi nëpërmjet dorëheqjeve, çka i ndalon automatikisht për të punuar për 15 vitet e ardhshme në drejtësi.

Ndërkohë nga 331 prokurorë vetëm 171 prej tyre u konfirmuan në detyrë dhe 115 u shkarkuan kurse 45 prokurorë janë larguar përmes dorëheqjeve.

Në shumë raste, Komisioneri Publik ka ankimuar vendimet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Në 7 vite institucioni i Komisionerit Publik ka përfaqësuar dhe mbrojtur interesin publik gjatë kryerjes së procesit të rivlerësimit duke ankimuar vendimet për gjykatës dhe prokurorë.

Nga 1 janari 2025, kompetencat e Komisionerit Publik i kanë kaluar Prokurorisë së Posaçme, e cila do të merret me rivlerësimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve.

Por problemi më i madh në drejtësi kanë rezultuar edhe disa nga drejtuesit e prokurorive të rretheve, që kanë kaluar Vettingun, të cilët rezultojnë me probleme në pasuri dhe të lidhur me krimin e organizuar.

Në korrik 2024, SPAK do të arrestonte në Vlorë drejtuesin e Prokurorisë Aurel Zarka, si dhe hetuesen e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Eriona Dautaj,  e cila ishte njëkohësisht magjistrate në Shkollën e Magjistraturës.

Sipas SPAK, prokurori Zarka dhe personat e tjerë akuzohen për ndikim të paligjshëm në tetë çështje penale që po hetoheshin në 4 prokurori të ndryshme, të cilat lidhen kryesisht me krimin e organizuar.

Sipas avokatit Arben Llangozi, Gjyqtarët dhe Prokurorët që kanë kaluar Vettingun pa meritë, janë ata që paraqesin rrezik për sistemin e drejtësisë.

“Kemi prokurorë të arrestuar, kemi prokurorë të lidhur me grupe kriminale dhe një muaj më parë sapo e kishte kaluar KPK-ja si Prokuror të ndershëm, ndërkohë që ai ishte pjesë e grupeve kriminale, sa që kishte arritur në atë pikë që Prokurori trafikonte drogë”, tha avokati Llangozi duke evidentuar problemet e mëdha në drejtësi.

llagnozi

Ajo që është e rëndë në këtë rast është fakti, se ky drejtues prokurorie ka kaluar procesin e Vettingut me sukses dhe institucionet e Vettingut nuk kanë arritur të evidentojnë asnjë problem. Një javë përpara se të arrestohej, në fund të qershorit 2024, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e kishte kualifikuar prokurorin Zarka pa probleme edhe pse kishte katër denoncime të dorëzuara nga publiku.

Por ish drejtues si Zarka nuk janë një rast i izoluar pasi për drejtuesit e Prokurorive të Rretheve vazhdimisht ka denoncime dhe akuza nga qytetarët për problemet që kanë shkaktuar me hetimet në drejtësi.

Një nga këto raste është kryeprokurori i Lezhës Erjon Shehaj, i cili është denoncuar nga persona të ndryshëm për shpërdorim detyre dhe probleme që kanë lidhje me pronat në qytetin bregdetar.

erjon shehaj

Kryeprokurori i Lezhës me mospërputhje në pasuri

Erjon Shehaj e ka nisur karrierën në drejtësi si oficer i Policisë Gjyqësore dhe është emëruar prokuror në qershor të vitit 2012. Nga ajo periudhë e në vazhdim, Shehaj ushtron detyrën në Prokurorinë e Rrethit Lezhë, ku prej prillit 2021 është drejtues i kësaj Prokurorie. Në cv-në e këtij prokurori nuk ilustrohet se ku e ka kryer shkollimin, duke qenë se vlerësimet e KPK-së lidhen edhe me kriterin profesional.

Më 1 prill 2022, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit do të konfirmonte në detyrë drejtuesin e Prokurorisë Lezhë Erjon Shehaj, pasi ishte bindur nga shpjegimet për pasurinë dhe rastet e konstatuara te kriteri profesional, për të cilat i ishin kërkuar shpjegime.

Procesi i Vettingut për kryeprokurorin Shehaj u krye nga Alma Faksaj, me relatore Pamela Qirko dhe anëtare Brunilda Bekteshin dhe në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ka qenë i pranishëm Theo Jacobs.

Dy muaj më pas, Komisioneri Publik Florian Ballhysa do të ankimonte vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, duke kërkuar shkarkimin e prokurorit Shehajt për problemet e kriterit profesional.

Por drejtuesi i Prokurorisë Lezhë nuk ka patur probleme vetëm me kriterin profesional, por edhe mospërputhje me deklaratat e pasurisë. Në procesin e Vettingut analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për prokurorët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale.

Bie në sy fakti se në deklarimin fillestar të  pasurisë në vitin 2004, Prokurori Shehaj nuk zotëronte asnjë pasuri, ndërsa në fund të vitit 2019, pasuria e tij familjare arrin në vlerën e 11.1 milionë lekëve ose 111 mijë euro.

Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë nga Shehaj, BIRN ka identifikuar si “flamur të kuq” huamarrjet e përdorura si burim për krijimin e pasurisë. Këto hua janë në vlerën 2,5 milionë lekë në vitin 2009, 14 mijë euro në vitin 2013 dhe 3,3 milionë lekë në vitin 2017.

Konkretisht në vitin 2014, Shehaj rezulton me burime të pamjaftueshme financiare në shumën 8 milionë lekë të vjetra. Në këtë vit, ai deklaron revokimin e një kontrate sipërmarrje të vitit 2009 dhe lidhjen e një kontrate të re premtim shitblerje të një apartamenti 84 m2 + 10 m2 sipërfaqe e përbashkët, me vlerë të shtuar prej 13,5 mijë eurosh.

Ka qenë vet Komisioni i Pavarur i Kualifikimit që ka vlerësuar se, nga analizimi i pasurive të Erjon Shehaj, janë konstatuar disa pasaktësi në deklarim.

Ndryshe nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, ILDKPKI që nuk ka gjetur asnjë problem në deklarimet e pasurisë dhe për burimet e krijimit të këtyre pasurive, KPK-ja ka konstatuar pasaktësi, mospërputhje dhe mungesa financiare.

Komisioni ka gjetur mospërputhje në deklarimet për gjendjet cash në vite, pasi në këto të fundit ka shënuar shumën 350 mijë lekë dhe vlerën 1450 euro, ndërsa në përllogaritjen e shumave të pasqyruara në deklaratat vjetore duhej të disponohej shuma 1.4 milionë lekë.

Pavarësisht disa mospërputhjeve financiare, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e ka kaluar Shehajn për këto pasaktësi pasi nuk e bëjnë të pamjaftueshëm deklarimin e pasurisë.

Komisioneri Ballhysa nxjerr me probleme te aftësitë profesionale

Sipas Komisionerit Publik Florian Ballhysa, në rastin e Shehaj nga aktet e administruara paraqiten gjetje dhe rrethana ligjore e faktike që nuk plotësojnë kriteret dhe standardet e etikës, të cilat garantojnë mbrojtjen dhe forcimin e besimit të publikut.

Në ankim evidentohet fakti se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka evidentuar gjetje në të gjitha burimet e vlerësimit të kriterit të aftësive profesionale, si në raportin e hartuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, por edhe denoncimet nga publiku.

Vijon…..

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme