Policia e Shkodrës ka zbuluar se makina që u përdor nga vrasësit e çiftit Boran Bercana dhe Silvi Ndoci është vjedhur në Kosovë. Ajo është futur në territorin e Shqipërisë disa ditë para se të behej ekzekutimi. Ndërkohë foshnja e viktimave ka dalë nga spitali dhe është marrë nga familjarët e ish-policit.
Makina e autorëve që ekzekutuan çiftin në Shkodër është vjedhur në Kosovë. Hetuesit e zbuluan këtë fakt përmes numrit të shasisë dhe numrit të motorit, ndërsa targat ishin të mbivendosura.
Pronari i saj është marrë në pyetje nga policë të Kosovës, çka u verifikua se vjedhja ishte denoncuar disa ditë para se të ndodhte atentati ndaj Boran Bercanes dhe Silvi Ndocit mëngjesin e së dielës.
Hetuset po kërkojnë autorin e vjedhjes së mjetit, ndërsa shoqërimet rreth ngjarjes vazhdojnë. Një burim i policisë së Shkodrës i tha ABC News se hetimet po përparojnë dhe njëra nga pistat kryesore lidhet me aktivitetet e paligjshme të ish-policit Boran Bercana.
Ndërkohë foshnja që i shpëtoi plumbave të automatikut është marrë nga spitali prej familjarëve të Bercanës dhe është në gjendje të mirë shëndetësore. Boran Bercana dhe Silvi Ndoci u ekzekutuan me automatik me silenciator.
Autori është afruar ngjitur me xhamat e Benzit dhe ka qëlluar fillimisht ish-policin dhe më pas bashkëjetuesen e tij. Vrasësi nuk ka vepruar i vetëm. Me të ka qenë edhe një bashkëpuntor, i cili priste me makinë.
Ekzekutimi është kryer në orën 1:15 të së dielës, kohë kur burrë e grua bashkë me fëmijën mbërriten tek pallati ku banonin në lagjen “Naim Gjylbegu”. Autorët braktisën mjetin duke i vënë flakën në hyrje të qytetit të Shkodrës. Brenda lanë dhe armën e krimit, një automatik scorpions.