Kosova ka aplikuar këtë të mërkurë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian.
Në ceremoninë e nënshkrimit të aplikimit për anëtarësim në BE morën pjesë presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca.
Nga 27 shtetet anëtare të bllokut, pesë prej tyre ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Shtetet mosnjohëse janë: Spanja, Rumania, Qiproja, Greqia dhe Sllovakia.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cilësoi si “historike” nënshkrimin e aplikimit të anëtarësimit në bllokun evropian.
“Po marrim një hap vendimtar drejt jetësimit të ëndrrës sonë kolektive”, tha ajo, duke shtuar se aplikimi për anëtarësim në BE është një hap drejt përmbushjes së ambicieve evropiane të Kosovës.
Dorëzimi i aplikimit pritet të bëhet më 15 dhjetor në Pragë të Çekisë, shtetit që aktualisht kryeson bllokun evropian.