Një deklaratë e papritur dhe me tone të forta e Kryeministrit Edi Rama nga Nju Jorku ka tërhequr vëmendjen, pasi ai kritikoi hapur ish-presidentin amerikan Joe Biden dhe Shtetet e Bashkuara për mënyrën se si, sipas tij, u trajtua çështja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Gjatë fjalës së mbajtur në mbrëmjen gala të organizuar nga Këshilli për Marrëdhëniet Shqiptaro-Amerikane, Rama deklaroi se SHBA-të mund të kishin bërë më shumë për të mos lejuar nisjen e procesit që çoi në dënimin e Thaçit nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Rama përdori tone të forta ndaj ish-presidentit amerikan Joe Biden, duke thënë se Thaçi ishte “tradhtuar” nga një vend që, sipas tij, duhej ta kishte mbështetur më shumë.
“Hashim Thaçi nuk është me ne këtu, sepse ky vend e tradhtoi. Joe Biden, që e emërtoi ‘George Washingtonin e Kosovës’, e tradhtoi. Edhe pse Gjenerali Clark dhe disa miq të shkëlqyer amerikanë bënë më të mirën, ky vend nuk bëri më të mirën për Hashim Thaçin”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë shqiptare sqaroi se përdorimi i termit “tradhti” lidhej, sipas tij, me bindjen se Shtetet e Bashkuara mund të kishin ndërmarrë më shumë për ish-krerët e UÇK-së dhe, mbi të gjitha, të mos kishin lejuar nisjen e këtij procesi.
“Jam i sigurt që ky vend mund të kishte bërë më shumë, së pari duke mos lejuar që kjo farsë të niste”, deklaroi Rama.
Në vijim, ai falënderoi gjeneralin amerikan Wesley Clark për atë që e cilësoi si kontributin e tij personal në mbështetje të Kosovës, duke e veçuar atë nga qëndrimi që shprehu për rolin e Shteteve të Bashkuara në çështjen e Thaçit.
The post VIDEO/ “Joe Biden tradhtoi Hashim Thaçin”! Deklarata e papritur e Ramës nga SHBA: Amerikanët mund të kishin bërë më shumë për ish-presidentin e Kosovës appeared first on Gazeta Shqiptare Online.



