Pas 11 ditëve kaos me rrugët dhe izolimit të juglindjes së Shqipërisë, është rikthyer sot (3 mars) qarkullimi i automjeteve me një aks të përkohshëm.
Në orën 11:38 mësohet se është rihapur zyrtarisht qarkullimi i automjeteve në segmentin e prekur në zonën e Dragostunjës, rruga Librazhd-Prrenjas, duke i dhënë fund bllokimit të përkohshëm që krijoi vështirësi për qindra drejtues mjetesh.
Segmenti në fjalë, pjesë e aksit kombëtar Librazhd–Prrenjas, ishte bërë i pakalueshëm pas dëmtimeve të shkaktuara në zonën e njohur si “Arrat e Gurrës”.
Pas ndërhyrjeve intensive në terren dhe krijimit të kushteve të sigurta për lëvizje, autoritetet dhanë sinjalin për rifillimin e qarkullimit.
Rihapja e këtij segmenti rikthen normalitetin në një nga arteriet më të rëndësishme rrugore që lidh Tiranën me juglindjen e vendit dhe me shtetet fqinje, duke lehtësuar ndjeshëm trafikun dhe lëvizjen e mallrave.
Drejtuesit e mjeteve këshillohen të respektojnë sinjalistikën dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë kalimit në zonë, ndërsa pritet që në vijim të jepen detaje të tjera mbi ndërhyrjet përfundimtare në këtë segment.
Pas hapjes së rrugës së përkohshme, ka reaguar edhe kreu i ARRSH-së, Ami Kozeli, i cili tha se do qarkullojnë të gjitha mjetet, përfshi edhe të tonazhit të rëndë, pasi rruga është testuar. Por ai këshilloi drejtuesit e kamionëve që të mos kalonin peshën 8,2 tonë sa parashikohet nga ana teknike.
“Rruga hapet në kushtet më optimale. Për aq sa lejonin rrethanat aktuale dhe faktorët. Janë bërë edhe testime laboratorike, deri edhe për mjetet e rënda. Nuk ka asnjë lloj cedimi apo shfaqje që të na shqetësojë. Hapet në kohën më të shpejtë të mundshme dhe gjej rastin që të falënderoj të gjithë personat që kontribuan dhe njerëzit e terrenit, pasi për 10 ditë është bërë punë e jashtëzakonshme. Trafiku është i hapur për të gjithë mjetet. Vetëm një apel për drejtuesit e mjeteve të tonazhit të rëndë sepse ka një limit 8,2 tonë për aks. Këtë e kontrollon edhe Policia e Shtetit, por unë bëj thirrje me këtë rast sepse në momentin që tejkalohet mund të krijohen edhe probleme më vonë”, u shpreh zyrtari i ARRSH.
Ai shtoi se nga ngjarja e ndodhur mësimet do të ishin të shumta, teksa do bëhej analizë me ekspertë të fushës, inxhinierë, gjeologë e teknikë, që të mos përsëriteshin në të ardhmen.
Kozeli tha se rruga e mëparshme do të kërkojë edhe 60 ditë që të kthehet në normalitet të plotë, sipas afateve të përcaktuara dhe në varësi të kushteve atmosferike.
“Mësimet do jenë të shumta nga kjo që ka ndodhur këtu. Kemi ardhur të gjithë këtu, bashkë me inxhinierët, do mblidhemi me të gjitha shërbimet e posaçme, gjeologët, teknikët, inxhinierët që të analizojmë e të mos kemi më probleme në të ardhmen. Por do vijojnë punimet, sepse rruga tjetër kryesore do të kërkojë 60 ditë që është afati minimal, në varësi të kushteve, për ta kthyer në normalitet të plotë”, përfundoi drejtori i ARRSH.
Menjëherë pas hapjes së rrugës, në zonë është shënuar një fluks i jashtëzakonshëm automjetesh, me radhë të gjata mjetesh që prisnin prej ditësh rikthimin e lëvizjes në këtë aks strategjik që lidh Tiranën me juglindjen e vendit dhe me pikat kufitare.
Qindra drejtues mjetesh, transportues mallrash dhe qytetarë që udhëtonin drejt Librazhdit, Prrenjasit dhe më tej, iu rikthyen itinerarit të zakonshëm, ndërsa forcat në terren po menaxhojnë trafikun për të shmangur ngarkesën e tepërt në segmentin e sapo rihapur.
Bllokimi 11-ditor kishte krijuar devijime të gjata dhe kosto të shtuara për transportin, ndërsa rihapja e këtij segmenti konsiderohet një lehtësim i madh për qarkullimin dhe ekonominë lokale.








