Presidentja Vjosa Osmani ka thënë që familja Biden i ka dhënë dritë Kosovës, teksa ka nderuar Beau Biden-in me Medalje të Nderit post-mortem.
Ajo tha që angazhimi i presidentit amerikan Joe Biden për ta bërë vendin e tij dhe botën më të mirë është i pakapërcyeshëm, teksa foli fjalë të mëdha për djalin e ndjerë të tij, Beau-në, i cili pas luftës në Kosovë kishte shërbyer në trajnimin e prokurorëve vendës.
‘Para se të shikojmë video-mesazhin e Presidentit amerikan, do të doja t’i thosha disa fjalë për përshtypjen time për të ndjerin Beau Biden, duke e parafrazuar thënien e njohur se ‘njerëzit e mirë janë si qirinj, ata digjen për t’u dhënë dritë të tjerëve’, ka thënë Osmani në ceremoninë e sotme.
‘I ndjeri Beau Biden ishte pikërisht i tillë. Ai është qiriu që u ka dhënë dritë kaq shumë njerëzve. Në ditët tona më të errëta, e gjithë familja Biden u ka dhënë gjithashtu dritë njerëzve të Kosovës’.