Janë zbuluar pamje të reja të ekzekutimit të Gilmando Danit në Rinas pasditen e djeshme, ku mbeti i plagosur miku i tij, Muçi Shaljani alias Sheqeri, efektiv i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.
Në pamjet e siguruara nga gazetarja Klodiana Lala, shihet momenti kur autorët kanë bërë pritë në rrethrotullimin e aeroportit dhe i kanë dalë përballë duke hapur zjarr në drejtim të tyre.
Po ashtu, nga pamjet shihet se mjeti i viktimave ka dalë në korsinë tjetër, ndërsa autorët i janë afruar dhe kanë shtënë sërish, duke i dhënë goditjen finale nga afër.
Autorët më pas largohen nga vendngjarja drejt fshatit Halil, ku edhe u gjet e djegur Toyota së bashku me 4 armët që u përdorën në atentat.
Viktima Gilmando Dani, mik dhe krahu i djathë i Emiljano Shullazit, dhe i plagosuri, Muçi Shaljani alias Sheqeri, mësohet se kanë udhëtuar nga Barcelona ditën e djeshme (11 Nëntor) para se ndaj tyre të qëlloj me breshëri plumbash.
Fluturimi ishte planifikuar në orët e para të mëngjesit, por mësohet se linja ajrore kishte shtyrë udhëtimin për në drekë. Makina “Toyota” ka pritur ekzaktësisht 10 minuta në rrethrrotullimin pranë aeroportit kur ndodhi atentati.
E gjithë zona, në momentin e ardhjes së makinës nga Nikla deri në Rinas, dhe më pas kur u largua në të njëjtin drejtim, ka qenë pa energji elektrike. Kjo ka ngritur dyshime të forta tek hetuesit pas për shkak të mungesës së energjisë asnjë kamera nuk e ka fiksuar lëvizjet e mjetit ku ndodheshin autorët.



