Gazetar: Bashkim Sulejmani
– Advertisements –
Nxënësit e fshatit Odër në Tetovë edhe sot nuk e filluan gjysmëvjetorin e dytë. Prindërit të vendosur në kërkesat e tyre, pa ngrohje nuk i lëshojnë fëmijët në Shkollë, shkruan Alsat.
Kërkojnë nga Komuna e Tearcës dhe Ministria e Arsimit të sigurojnë inverterë për nëntë klasë që fëmijët e tyre të mësojnë në ambiente të ngrohta.
Dërgimi i nxënësve në një shkollë tjetër për prindërit nuk është zgjidhje.
“Mendoj se dërgimi i nxënësve në një shkollë tjetër është një ngarkesë për nxënësit. Alternativa e vetme është zgjidhja me mjete tjera të ngrohjes brenda objektit për tre muaj, pas çka pas përfundimit të shkollës të insistojmë që të ndërrohen dritaret, sistemi i ngrohjes, rregullimi i tualeteve dhe lyerja e shkollës”, tha Lavdim Farizi, Kryetar i këshillit prindëror të Sh.F. “Faik Konica”.
Për sonte kreu i Komunës së Tearcës ka caktuar takim me prindërit. Ai tha se sigurimi i inverterëve kërkon kohë dhe nuk mund të jetë zgjidhje momentale.
“Pikërisht këto janë pengesa që na paraqiten në çdo moment. Nuk është vetëm një shkollë por disa shkolla që janë në nivel komune. Insistimi jonë është që brenda kushteve që janë në shkollë të gjendet zgjidhja e mundshme, sepse çdo investim tjetër duhet përcjell me procedura të rregullta sepse ka shuma të mëdha që duhet bë me tenderime publike për të arritur në një investim i cili është problem me kushtet financiare që gjendet komuna, pra duhet gjet një solucion alternativ që plotëson kushtet për shkollën”, u shpreh Nuhi Neziri – Kryetar i komunës së Tearcës.
Ministri i Arsimit Jeton Shaqiri thotë se është i gatshëm të takojë prindërit, ndërsa nuk përjashton mundësinë që mësimi në këtë Shkollë të vijojë online.
“Unë kam angazhuar njerëz dhe nëse nga ministria ka një mundësi ligjore, do reagojmë në kohën maksimale të mundshme për këtë situatë. Jam i gatshëm për t’i dëgjuar në komunën e Tearcës për t’i parë nga afër por në këto situata na duhet mirëkuptim. Do shohim edhe mundësinë tjetër, por besoni se duhet të shihen gjitha mundësitë tjera fillimisht. Është edhe varianti i mësimit online, por insistoj që të jetë me prezencë fizike mësimi por insistoj që komuna dhe prindërit të gjejnë një zgjidhje më tepër. Premtoj që në afat sa më të shpejtë, ndoshta edhe më shpejtë se pranvera, do merren gjitha masat për këtë shkollë”, tha në një lidhje telefonike për Alsat, ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri.
Në Shkollën Fillore “Faik Konica” në Odër të Tetovës mësojnë rreth 130 nxënës./ Alsat.mk