Nënkryetari i Partisë Socialdemokrate, Visar Ymeri, ka mbrojtur Rezolutën e propozuar nga partia e tij lidhur me dialogun me Serbinë, e cila është miratuar të shtunën nga Kuvendi i Kosovës. Ai i është kundërpërgjigjur akuzave të liderëve të LDK-së dhe VV-së në adresë të PSD-së, se kjo parti është bërë “patericë” e pushtetit.
Ymeri, përmes një postimi në Facebook, duke iu përgjigjur akuzave të krerëve të LDK-së dhe VV-së, Isa Mustafa dhe Albin Kurti, ka thënë “jemi ngritur në këmbë si Republikë, si Kosovë e si Kuvend. Të vetmit që janë shtrirë e futur nën sqetull janë ata që po vajtojnë, kukuvajkat”.
Postimi i plotë i Ymerit:
“Në Delegacionin shtetëror do të bashkëdrejton opozita (Shpend Ahmeti dhe Fatmir Limaj). Brenda Delegacionit vendimet do të merren me unanimitet, dhe nëse/kur nuk arrihet unanimiteti pas dy tentimeve, atëherë me 2/3 e anëtarëve. Raporti mes Koalicionit qeveritar dhe Opozites/Shoqërisë civile në Delegacion është 7 me 5.
Ky proces është në dorë të Opozitës.
Po ta lexonin Rezolutën dhe Ligjin edhe Albin Kurti edhe Isa Mustafa do ta kuptonin qartë se të gjitha siguresat vendimmarrëse, procedurale dhe politike e juridike janë paraparë aty.
Nuk ka marrëveshje pa njohje!
Sovraniteti shtetëror, integriteti territorial, karakteri unitar i Republikës janë të pacenueshme e të patjetërsueshme.
Në të vërtetë jemi ngritur në këmbë si Republikë, si Kosovë e si Kuvend. Të vetmit që janë shtrirë e futur nën sqetull janë ata që po vajtojnë, kukuvajkat.
Të strukur në rehatinë e zyreve e shtëpive të tyre që vajtojnë për legjitimitetin e munguar, me një ligjërim që lëngon nga formalizmi absurd. Thua ti, atë që ata e quajnë legjitimitet garanton marrëveshje të dobishme për Kosovën. Ç’marrëveshje? Sikur ajo për Zajednicë? Pa kurrëfarë përfitimi për Kosovën.