Zotimi i kryeministrit Ramush Haradinaj se pas tre muajsh (në mars) do të hiqen vizat është i pamundur që të realizohet.
Kështu konsiderojnë njohësit e çështjeve të liberalizimit e të integrimit, të cilët thonë se gjashtë muaj së paku zgjasin vetëm procedurat pasi të merret vendimi për liberalizim.
Ndërkohë, ky nuk është zotimi i parë i Haradinajt se vizat do të hiqen pas tre muajve. Të njëjtin premtim e kishte bërë edhe para se të vinte në pushtet, porse një gjë e tillë nuk është realizuar, shkruan “Zëri”.
Megjithatë, zyrtarë qeveritarë kanë thënë se çdo ditë që po kalon do të jetë një hap më afër liberalizimit të vizave.
Nga ana tjetër kryeministri i Kosovës, Ramush Hardinaj, gjatë ditës së djeshme ka qëndruar në Bruksel në takimin e përbashkët mes kryeministrave të Ballkanit Perëndimor dhe shefes së Diplomacisë së BE-së, Federika Mogherini.