Alexander Soros, djali i miliarderit George Soros muajt e fundit kishte intensifikuar vizitat në rajon duke shkuar në Shqipëri, Maqedoni të Veriut e Serbi, vende këto në të cilat deri tani janë mbajtur Samitet për jetësimin e projektit të ashtuquajtur minishengen. Gjatë këtyre vizitave ai ishte takuar me krerët shtetëror, të cilët menjëherë ishin aktivizuar për fillimin e përpjekjeve për projektin. Pas vizitës në Tiranë dhe takimit me Edi Ramën, në Novi Sad ishte mbajtur takimi i parë për Minishengenin. Më pas Soros kishte vizituar Ohrin pikërisht në ditën kur Rama-Vuçiq e Zaev ishin mbledhur për takimin e radhës, ndërkohë pak para organizimit të Samitit në Shqipëri, Soros kishte vizituar Beogradin zyrtar, duke pasur kështu nën kontroll të gjitha zhvillimet rreth kësaj iniciative që po e refuzon Kosova.
Nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, vetëm tri shtete e kanë marrë më yrysh krijimin e të ashtuquajturit projekt për Minishengen. Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut. Një nismë e tillë është përcjellë me refuzim të Bosnje Hercegovinës dyshime të Malit të Zi, ndërkohë Kosova e ka injoruar plotësisht.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë përkrahur deklarativisht, ndërkohë kreu i ri i diplomacisë evropiane, Josep Borell, nuk ka marrë pjesë në takimin e fundit të mbajtur në Tiranë. Është interesante që në Kosovë kjo nismë mbështete ose ka mirëkuptim për të vetëm nga segmente që kanë mbështetje financiare nga fondacionet e Soros.
Por kush qëndron prapa një iniciative të tillë dhe pse Edi Rama dhe Aleksander Vuçiq janë duke e shtyrë përpara krijimin e një projekti të tillë.
Gazeta Express ka publikuar dje pjesë të një dokumenti të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës në të cilën tregohet se projekti i ashtuquajtur Minishengen është iniciuar nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur i miliarderit Geroge Soros. Një ide të tillë në letër e ka hedhur ish-zyrtarja e lartë e Departamentit të Shtetit, Victoria Nuland, ndërkohë në terren e ka shtyrë Alexander Soros, djali i miliarderit të famshëm i cili kishte realizuar edhe vizita sekrete në rajon.
Alexander Soros me 28 gusht të këtij viti kishte vizituar Shqipërinë dhe ishte takuar me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën. Në përshkrimin e një fotografie ku shihet bashkë me kryeministrin shqiptar, Soros kishte folur për të ardhmen e rajonit, bashkëpunimin, avancimin dhe rritjen ekonomike, gjëra të cilat po pretendohet të bëhen pikërisht përmes idesë së ashtuquajtur Minishengen.
“Madhështore të kthehem përsëri në Shqipërinë e dashur dhe të takohem me kryeministrin Edi Rama, lidhur me perspektivat për bashkëpunim rajonal, përparim ekonomik dhe rritje gjithëpërfshirëse”, kishte shkruar Soros në llogarinë e tij zyrtare.
Pas kësaj vizite në Tiranë, Rama tashmë ishte angazhuar bashkë me Vuçiqin për fillimin e përpjekjeve për jetësimin e projektit, duke e caktuar Novi Sadin si qytetin e parë ku do të mblidheshin bashkë edhe me Zoran Zaevin.
Më 10 tetor të vitit 2019, Aleksander Vuçiq kishte pritur në Novi Sad, Edi Ramën e Zoran Zaevin, duke filluar kështu edhe zyrtarisht përpjekjet për jetësimin e idesë së ashtuquajtur “Minishengen”.
Në këtë takim ishin pajtuar kryeministri maqedonas të ishte nikoqiri i takimit të ardhës, duke caktuar 10 nëntorin si datën kur do të mblidheshin në Ohër.
E pikërisht në këtë datë, kur po mbahej Samiti, në Ohër kishte aderuar në mënyrë sekrete edhe avokuesi i projektit për jetësimin e “Minishengenit” Alexander Soros. Ai kishte takuar kryeministrin dhe presidentin maqedonas fshehurazi.
“Zaev dhe Pendarovski mbajnë një takim sekret në Ohër me Alexander Sorosin”, është titulli i artikullit të gazetës maqedonase ‘Republika’ në të cilën janë publikuar edhe foto se si Alexander Soros kishte aderuar në Ohër me aeroplan privat nën masa të rrepta të sigurisë.
Ciklin e vizitave të tij në Ballkanin Perëndimor, Alexander Soros e kishte përmbyllur në Beograd. Vetëm dhjetë ditë pas vizitës në Ohër, ai kishte takuar kreun e shtetit serb, Alexander Vucic, me të cilin kishte diskutuar për bashkëpunimin rajonal dhe synimet për integrim sa më të shpejtë në Bashkim Evropian.
Këtë vizitë në Beograd e kishte bërë publike edhe vetë Alexander Soros.
“Faleminderit Aleksander Vucic për mundësinë që të diskutojmë për forcimin e një shoqërie të hapur në Serbi dhe integrimin Evropian”, kishte shkruar ai më 20 nëntor të këtij viti.
E pas kësaj vizite të Soros në Beograd, ishte radha e Shqipërisë që të organizonte Samitin tjetër Rama-Vuçiq-Zaev.
Megjithatë tërmeti që kishte goditur Durrësin më 26 nëntor kishte bërë që për një kohë të pezulloheshin aktivitetet, për t’i rifilluar përpjekjet më 20 dhe 21 dhjetor në Samitin e organizuar nga kryeministri i Shqipërisë në Tiranë.
Këtë takim në Tiranë si gjithë takimet paraprake e ka bojkotuar Kosova edhe përkundër ftesës që kishte marrë, dhe kjo ka qenë edhe arsyeja pse Edi Rama ishte vërsulur në sulme e ofendime ndaj klasës politike dhe institucioneve të Kosovës.
Shumë analistë e thonë që pa përfshirjen e gjithë shteteve e veçanërisht Kosovës nuk mund të jetësohet një ide e tillë, duke qenë se Kosova është rrugë lidhëse në mes gjithë shteteve të tjera që po synojnë jetësimin e një ideje të tillë.
Takimi i radhës do të mbahet përsëri në Serbi, ndërkohë i gatshëm për të organizuar një Samit për Minishengenin është shprehur edhe presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq. Mbetet të shihet se si do rrjedh një ide e tillë duke qenë se qëndrimi i SHBA’së është që “pa Kosovën nuk mund të ketë Minishengen”.
E një ide e tillë nuk është që po pëlqehet edhe nga BE’ja. Një gjë të tillë e ka pohuar vetë presidenti i Serbisë, Aleksander Vucic, në një intervistë për mediat serbe.