“Vjedh e korruptohu sa të duash, se në fund Zaevi t’i lan gjynahet dhe të bën ministër!”

Almakos ka arritur ta transkriptoj fjalimin e plotë të deputetit të Lëvizjes BESA Zeqirija Ibrahimi në Kuvendin e Maqedonisë.

Më poshtë ua sjellim fjalimin e plotë të Ibrahimit të BESËS:

“I nderuari Kryetar i Kuvendit,
I nderuari Mandatar,
Të nderuar kolegë deputetë,
Të respektuar qytetarë!

Kam kënaqësinë që të konstatoj se pjesa më e ligë dhe më e madhe e regjimit sot po përfundon, porse është edhe një pjesë që akoma nuk ka rënë dhe puna jonë ende nuk ka përfunduar.

Kur e shoh sot këtë kabinet qeveritar, me përjashtime që janë për çdo respekt, nuk mundem të mos pyes: z. Zaev, a e dini ju se cili është dallimi mes reformës dhe riciklimit? Nëse ju me reformë nënkuptoni se njerëzit bëhen të mirë vetëm pse ju shërbejnë juve, kjo nuk është reformë, por është riciklim?

I nderuari z. Zaev, unë kam menduar se ju e keni refuzuar bashkëpunimin me ne për shkak të platformës sonë të RIDEFINIMIT, por sot e marr vesh se ju keni refuzuar sepse nuk e keni përmbushur parimin tonë të parë – që në qeveri të mos ketë kuadro të korruptuara dhe të inkriminuara.

I nderuari z. Zaev, çfarë lavatriçe keni ju që kaq shpejt i pastroni njerëzit nga krimi dhe korrupsioni? Apo mjafton që t’ju shërbejnë juve dhe ju i falni?

I nderuari z. Zaev, qytetarët duan ta dinë se pse Katica Janeva nuk ngre padi për asnjë eksponent të BDI-së, por merret me mësues periferikë të Zajazit? A i keni falur ju ata apo ajo nuk ka informacione?

I nderuari z. Zaev, si quhet njeriu që vitin e kaluar në përgjimet tuaja ka dalë se ka qenë i korruptuar, ndërsa sivjet është ulur në kabinetin tuaj? A vazhdon të jetë akoma i korruptuar apo tashmë e keni falur?

I nderuari z. Zaev, a keni qenë më i sinqertë kur keni thënë se ish ministri i Shëndetësisë së Gruevskit është i korruptuar dhe PSP-ja do t’i ngrejë padi penale apo sot kur atë e propozoni për ministër të Euro-integrimeve? Çfarë u bë nga padia penale?

I nderuri z. Zaev, a më tregoni se cila është lidhja mes fjalës Reformë dhe ministrave të BDI-së, që ju i keni propozuar sot?

I nderuari z. Zaev, a nuk e vëreni se në qeverinë tuaj disa ministra jua ka propozuar Sasho Mijallkovi dhe Nikolla Gruevski?

I nderuari z. Zaev, cili është mesazhi që ia jepni ju shqiptarit të ri me këta ministra? Ai bie kjo “Vjedh e korruptohu sa të duash, se në fund Zaevi t’i lan gjynahet dhe të bën ministër!”?

I nderuari z. Zaev, nëse e keni marrë rolin e shenjtorit që falë mëkate, pse nuk e falni edhe Musa Xhaferin, Blerim Bexhetin dhe Abdylaqim Ademin? Se njësoj janë edhe ata si këta.

I nderuari z. Zaev, nëse juve partneri juaj dje jua imponoi Kryeparlamentarin, sepse ashtu na thatë vetë ju, dhe nëse sot jua ka imponuar edhe ministrat me dosje penale, a i bie kjo se qeveria juaj do të jetë e kapur nga BDI-ja e, rrjedhimisht, nga VMRO-ja?

A i bie kjo se kryeministër i qeverisë suaj, përmes BDI-së, vazhdon të mbetet Nikolla Gruevski?

Të nderuar qytetarë, si quhet partia që 10 vjet i shërben VMRO-DPMNE-së, që 20 ditë bisedon për bashkëqeverisje me VMRO-në dhe që në fund shkon me LSDM-në?
Të nderuar qytetarë, kush i beson më kësaj partie, pos z. Zaev?

Të nderuar qytetarë, si quhet partia që e saboton votimin e ligjit për zgjatjen e mandatit të Prokurorisë Speciale Publike, ndërsa pastaj e quan veten pjesë të qeverisë “reformatore”?

Të nderuar qytetarë, si quhet politikanët që thonë se nuk hynë në qeveri pa u ndryshuar kushtetuta, pa u bë Maqedonia shtet binacional, pa u bërë parlamenti dydhomësh dhe pa u bë shqipja zyrtare, ndërsa në shansin e parë i ke në qeveri pa u përmbushur asnjë nga këto kushte?

Të nderuar qytetarë, a e kuptuat sot se pse nuk u bashkua opozita shqiptare para zgjedhjeve? Mjafton ta shihni këtë kabinet dhe e qartë është, apo?

Të nderuar qytetarë, po ju parashtroj pyetjeve juve, sepse këtu nuk ka kush përgjigjet: a e dini se cila është marrëveshja e BDI-së dhe e degëve të saj që të hyjnë në qeveri? Unë nuk kam dëgjuar se ka ndonjë marrëveshje!

Të nderuar qytetarë, si quhen ata politikanë që heqin dorë nga Deklarata e Përbashkët të Partive Shqiptare në Maqedoni?

Që fjalimi im të mos kalojë vetëm me pyetje, po bëj edhe ca komente pozitive. I përgëzoj disa ministra të BDI-së që në CV-të e tyre kanë dhënë të dhëna të rëndësishme të përvojës së tyre. E vlerësoj sidomos shumë faktin se dinë të punojnë nën kushte stresi, janë komunikativë, të shoqërueshëm, të bukur dhe dinë ta përdorin Internetin dhe Wordin. Urime! Sukses jo mahi.

I nderuari z. Zaev, ashtu si shumica në Lëvizjen BESA, edhe unë kam qenë i qëndrimit që ta votoj qeverinë tuaj. Dhe, këtë kam dashur ta bëj për shkak të pritjeve të qytetarëve, për shkak të shpresës për reforma, për shkak të shqiptarëve të burgosur, për shkak të nxënësve e studentëve, për shkak të punëtorëve e pensionistëve, për shkak të nënave dhe të sëmurëve, ama më falni, unë nuk mund të jem mazohist. Nuk mund të jem kundër vetvetes. Nëse ju e keni ngatërruar reformën me riciklimin, unë – për fat të mirë – ende di t’i dalloj.

Frikohem para së gjithash nga Zoti, por edhe nga votuesit që më kanë votuar, që të bëj këso gabimi. Frikohem se do të më zë mallkimi i premtimit tim se nuk do të votoj për njerëz të inkriminuar dhe të korruptuar. Prandaj, më fal, por shqiptarët e kanë një shprehje: “Çfarë të mbjellësh do të korrësh”.
Uroj ta kem gabim dhe uroj që ju të më bindni se nuk kam pasur të drejtë!”

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme