Deputeti i PD, Dashnor Sula, kërkoi që komisionin e Ligjeve të mos e drejtojë Klotilda Bushka, pasi ajo është nën hetim nga SPAK.
Në nisje të komisionit, Sula tha se Bushka akuzohet se ka penguar drejtësinë dhe se nuk ka moral për të vazhduar të jetë kryetar e komisioni. Sipas tij, këtë komision duhet ta drejtoja dikush tjetër.
“Unë mendoj që kjo seancë e sotme nuk është normale për komisionin e ligjeve. Me keqardhjen më të madhe konstatoj dhe që para se të vija këtu, mendova se sot ju zonja kryetare nuk do ishit sot për të drejtuar komisionin e ligjeve.
Zonja kryetare ke penguar drejtësinë. Mbyllni gojën anëtarë socialistë të Komisionit, se nuk keni moral të flisni. Është turp. Vjen era korrupsion.
Prandaj, zonja kryetare, mund t’ja lini radhën zonjës Çupi të drejtojë mbledhjen apo kujtdo anëtare e Komisionit mund ta kishte këtë aftësi”, tha Sula.
Reagimi i Bushkes
Në nisje të komisionit të ligjeve, ajo tha se cdo sqarim do të japë aty ku duhet. Ndërsa sa i takon cështjes së dinjiteti, u shpreh se ka qenë dhe do jetë e tillë.
“Ju sqaroj që ky është një komision ligjesh dhe jo komision hetimor, unë jam drejtuese e komisionit të ligjeve dhe jam duke ushtrua detyrën time. Nëse kam diçka për të sqaruar do ta sqaroj atje ku sqarohen. Sa i takon cështjes së dinjitetit unë kam qenë e dinjitetshme, jam dhe do jem”, tha Bushka.