Rreth 10 faqe komente kundër dekretit të Presidentit Hashim Thaçi për mandatimin e Avdullah Hotit të LDK-së për Kryeministër, i ka dorëzuar bashkëpartiakja e këtij të fundit, Kryeparlamentarja Vjosa Osmani, sot në Gjykatë Kushtetuese.
Kryeparlamentarja Vjosa Osmani po vazhdon ta sfidojë partinë e saj.
Burime të Gazetës Online ‘Reporteri.net’ tregojnë se Osmani të premten ka deponuar në Gjykatë Kushtetuese komentet e saj, kundër dekretit të presidentit të vendit që mandatoi Avduallah Hotin për Kryeministër.
Dokumenti i Osmanit, sipas të njëjtave burime, përmban 10 faqe komente.
Përveç Kryeparlamentares, në Gjykate Kushtetuese, komentet kundër këtij dekreti, po sot i ka dorëzuar edhe Lëvizja Vetëvendosje, e cila inicioi në këtë gjykatë dekretin në fjalë, që pasoi me pezullim deri më 29 maj të këtij viti.
Gjykatës Kushtetuese me komente i është përgjigjur edhe vetë Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, sikurse edhe LDK-ja e cila ka mbrojtur dekretimin e anëtarit të saj për kryesi të mandatuar për kryeministër të vendit.
Në ditën e fundit të afatit për dorëzimin e komenteve në Gjykatë Kushtetuese ndaj dekretit të Presidentit, sot dokumente të ngjashme kanë dërguar edhe vetë Kryeministri i shkarkuar Albin Kurti, Zyra e Avokatit të Popullit, dhe deputetët e grupit parlamentar NISMA-AKR.