Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar ndaj deklaratë së Nasim Haradinajt i cili tha se “nuk ka lidhje nëse janë vra anëtarët e LDK-së”, transmeton Gazeta Blic.
Osmani ka thënë se deklarata e Haradinajt është çnjerëzore dhe krerët shtetërorë duhet urgjentisht të distancohen ndaj deklaratave të tilla dhe Nasim Haradinajt nuk duhet më t’i lejohet të hyjë në Kuvend dhe të kërcënojë deputetët ashtu siç bënte në mandatin e kaluar.
Shkrimi i plotë i Vjosa Osmanit në Facebook:
Deklarata e Nasim Haradinajt është deklaratë çnjerëzore. Ajo jo vetëm që dëshmon që Gjykata Speciale duhet doemos të merret me vrasjet e pasluftës së veprimtarëve të LDK-së, por edhe shpërfaqë shqetësimin që disa kanë kohëve të fundit pse dalëngadalë faktet rreth këtyre vrasjeve do të dalin në dritë dhe ata që i kryen ato do të dalin para drejtësisë.
Krerët shtetërorë duhet urgjentisht të distancohen ndaj deklaratave të tilla dhe Nasim Haradinajt nuk duhet më t’i lejohet të hyjë në Kuvend dhe të kërcënojë deputetët ashtu siç bënte në mandatin e kaluar. Kosova nuk do të jetë në paqe përderisa plagët e vrasjeve të pasluftës janë akoma të hapura.