Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi se Kosova duhet të ketë kujdes të mos bie pre e gjuhës luftënxitëse të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, e që sipas saj, nuk është gjë e re.
Osmani deklaroi në “Interaktiv” të KTV-së, të enjten, se institucionet e Kosovës duhet të vazhdojnë që të gjitha vendimet t’i marrin në koordinim me miqtë ndërkombëtarë, derisa tha se çdo mundësi për marrëveshje është refuzuar nga pala serbe.
“Çdo hap që e kemi ndërmarrë, ka qenë në koordinim me ndërkombëtarët. Hapat janë bllokuar nga ana e Serbisë. Nga ana e Kosovës, çdo herë do të gjendet një zgjidhje që nuk do të krijojë pengesa. Pala e Kosovës ka treguar konstruktivitet të madh në raport me diskutimet për këtë temë (targat v.j.), dhe në njëfarë mënyre patëm ardhur te një dokument i cili ishte i pranueshëm edhe për Kosovën, edhe për BE-n, por Serbia me qasjen e saj destruktive refuzonte gjithçka që propozohej”, deklaroi Osmani.
Sipas saj, reciprociteti i vendosur të mërkurën nga Qeveria e Kosovës në lidhje me letërnjoftimet ndaj serbëve, është pjesë e mbrojtjes e sovranitetit.
“Ne asnjëherë nuk do të nxisim tensione, gjithmonë do t’i respektojmë të drejtat e qytetarëve tanë pa dallim, por edhe do ta mbrojmë sovraniteti. Nuk ka asnjë vendim që ka dalë befasues për targat. Duhet ta kemi të qartë, pavarësisht a nënshkruan Serbia marrëveshje në Bruksel, strategji e saj është destabiliteti në Kosovë. Jemi me fat që kemi përkrahjen e miqve tanë”, tha presidentja Osmani.
Ajo potencoi ndër të tjera se Serbia, me mospranimin e asnjë marrëveshjeje, ka treguar mentalitetin e saj.