Regjistrimi i vitit 2021 nuk ishte dështim, ishte tradhti e planifikuar, e zbatuar me urdhër nga lart, me puthadorë të bindur në çdo institucion. Në këtë mënyrë VLEN hedh akuza drejt BDI-së për regjistrimin e popullsisë, për çka Kushtetuesja solli vendim dy ditë më parë. Bilall Kasami thotë se duhet të ketë përgjegjësi për shlyerjen e mbi 200 mijë shqiptarëve.
“A është ky çmimi që shqiptarët e paguajtën për “Soravijën” dhe lotarinë? Sigurisht që duhet të ketë përgjegjësi për shlyerjen e më shumë se dyqind mijë shqiptarëve nga regjistrimi i fundit…. Derisa BDI e bëri këtë diskriminim që nuk e pranuan shqiptarët as në vitin 2001 as në vitin 2011 dhe asnjëherë nuk e kanë pranuar, atëherë ne parashtrojmë pyetjen, se, cili ishte çmimi që e paguan shqiptarët që BDI e bëri këtë në kurriz të shqiptarëve për interesa të tyre personale dhe për pasurim të lidershipit të BDI-së”, tha Bilall Kasami, VLEN.
Blerim Sejdiu nga ana tjetër shpalosi sot shifra nga regjistrimi që tregojnë se si nga regjistrimi i fundit, në shumë vendbanime shqiptare kanë dalë më shumë votues sesa ka banorë të
“Diaspora jonë, që e ka mbajtur në këmbë ekonominë e këtij vendi për dekada, u trajtua si e padukshme, si statistikisht e pavlefshme, si problem për t’u shmangur. Por pse? Sepse diaspora nuk mund të kontrollohej nga BDI-ja. Nuk mund të frikësohej, nuk mund të blinte vota, nuk mund të manipulohej. Pyesim publikisht: Si është e mundur që në Reçicë të Vogël regjistrimi të numërojë vetëm 1.653 shqiptarë mbi 18 vjeç, ndërsa në zgjedhjet e fundit të dalin mbi 2.400 vota vetëm për partitë shqiptare? Si është e mundur që në fsh. Zhelinë të ketë 3432 banorë e 4103 votues? Si është e mundur që në fsh.Strimnic të ketë 1937 banorë të regjistruar e 2644 votues? Dhe kjo gjendje vazhdon edhe ne shume fshatra tjerë”, shtoi Blerim Sjediu, VLEN.
Ndërkohë edhe dy ditë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese me të cilin u shfuqizuan dispozita nga Metodologjia e cila ndanë shtetasit në “rezident” dhe “jorezident”, heshtje në partinë e Ahmetit. Me vendimin e Kushtetueses konstatohet se drejtori i atëhershëm i Entit të Statistikave, Apostoll Simovski i ka tejkaluar kompetencat e tij dhe në mënyrë të paligjshme ka kategorizuar popullatën në rezident dhe jorezident. Përgjegjësia në këtë rast është edhe e zv.drejtorit Ilmi Selami, kuadër i BDI-së, pasi rezultati i regjistrimit, metodologjia, por edhe aktet tjera ishin bërë me nënshkrim të lidhura apo të dyfishtë./Alsat.mk