
VLEN akuzon se në Komunë e Sarajit po bëhen punime në fshehtësi dhe pa dokumentacion përkatës. Sipas tyre, pishina e cila ndodhet në Qendrën Reakreative Sportive po ndërtohet në kundërshtim me ligjin. VLEN i bëri thirrje Qytetit të Shkupit të ndërmerr masa.
“Theksojmë se ndërtimi po zhvillohet pa asnjë tabelë informuese në vendin e punimeve, pa njoftim publik, pa numër të lejes ndërtimore të ekspozuar dhe pa të dhëna për investitorin. Gjithçka po bëhet në fshehtësi të plotë. Komuna e Sarajit duhet t’u japë përgjigje banorëve të Sarajit dhe opinionit të gjerë: Cila është kompania e cila është duke e ndërtuar objektin? Kush është investitori dhe me çfarë burimesh po financohet ndërtimi? Në çfarë baze ligjore po ndërtohet? Kur është marrë vendimi për këtë ndërtim? Ndërkohë, Qyteti i Shkupit, si çdoherë edhe këtë radhë heshtë kur bëhet fjalë për interesa të kryetarit aktual të Komunës së Sarajit dhe eprorit të tij, Blerim Bexheti, vazhdon të heshtë”, tha Muhamed Elmazi, VLEN .




