Gazetare: Fatlume Dervishi
VLEN pret që trendi i braktisjes së Taravarit nga mbështetësit e partisë së tij, të vazhdojë, shkruan Alsat.
Ky qëndrim vjen një ditë pasi deputeti Salim Sulejmani paralajmëroi dorëheqje nga pozitat në ASH dhe nga posti i deputetit.
“Të gjitha këto zhvillime në ASH-në e Taravarit janë shenjë se vendosmëria e strukturave dhe gatishmëria është më e madhe që të mos përfundojnë në krahët e Ali Ahmetit, sesa kalkulimet e Taravarit. Sipas informacioneve tona, kjo do të vazhdojë, revolta te mbështetësit dhe simpatizantët është e madhe. Ta presion ditët e ardhshme por besoj se ky trend do të vazhdojë”, tha Orhan Murtezani, VLEN.
Një ditë më parë u prononcua edhe zv.kryeministri Arben Fetai. Ai siguroi anëtarësinë se rruga e ASH-së nuk kalon ka Ahmeti.
“Nuk do ta lejojmë BDI-në të kthehet si të mos ketë ndodhur asgjë. Ata duhet të përballen me të vërtetat që i kanë shmangur për dy dekada me radhë. Këtu nuk bëhet fjalë për individin. Këtu është në pyetje dinjiteti jonë kolektiv. Zëri im është zëri juaj. Zëri i Aleancës që nuk dorëzohet. Që nuk shitet. Që nuk frikësohet. Ne jemi zëri i rrugës së Arbnit. Dhe ajo rrugë nuk kalon kurrë nga Ali Ahmeti, e as nga askush që nuk ia do të mirën shqiptarëve”, u shpreh Arben Fetai, Zv.kryeministër.
Qëndrimi i Fetait gjithsesi është i paqartë, nëse do të vazhdojë të jetë pjesë e ASH-së, pjesë e VLEN ose pjesë e ndonjë Aleance të tretë eventuale.
Dy ditë më parë, Taravarin e braktisi edh eish ministri i Administratës Azir Aliu i cili konfirmoi se mbetet krah VLEN.
Si rezultat i këtyre radhitjeve, Taravari shkurt shkroi se pushteti vjen nga populli dhe se zgjedhjet e tetorit janë shumë afër. / Alsat.mk