VLEN dhe BDI thonë se i kanë mbledhur nënshkrimet e nevojshme për president

Gazetare: Fatlume Dervishi

Bujar Osmani ka mbledhur nënshkrimet e nevojshme për zyrtarizim të kandidaturës së tij për president, sipas ligjit kurse të njëjtën gjë thonë se e kanë bërë edhe nga koalicioni VLEN. Osmani një ditë më parë njoftoi plotësimin e kushtit kurse nga KSHZ-ja njoftuan se për të kanë firmosur 10 528 votues. BDI-ja kërkoi mbështetje nga të gjithë votuesit në zgjedhje.

“Na duhen të gjithë votat, edhe të shqiptarëve, edhe të maqedonasve dhe të gjithë të tjerëve që të na mundësohet ta ndryshojmë Kushtetutën njëkohësisht edhe për zgjedhjen e presidentit në Kuvend, edhe për ndryshimet kushtetuese që burojnë nga marrëveshja për fqinjësi të mirë, dhe të vazhdojmë me vendosmëri drejt BE-së. Qytetarët duhet ta fokusojnë votën e tyre për partinë më të fuqishme shqiptare me të cilën do të arrihet qëllimi dhe do të pengohet ndikimi rus”, tha Arbër Ademi, BDI.

Nga VLEN thonë se kushtin e mbledhjes së të paktën 10 mijë nënshkrimeve brenda ditës e ka arritur edhe kandidati i tyre Arben Taravari, megjithatë numrat duhet t’i konfirmojë KSHZ-ja në fund të orarit. Ky instucion konfirmon numrin e nënshkrimeve çdo ditë pas orës 20. Deri mbrëmë, nga kandidatët tjerë në garë më afër mbledhjes së nënshkrimeve ka qenë edhe Maksim Dimitrievski me mbi 8000 nënshkrime të mbledhura, Biljana Vankovska me mbi 6000 dhe Stevço Jakimovski me mbi 4000.

Të gjithë kandidatët e tjerë nga lista, deri mbrëmë kanë marrë më pak se 1000 nënshkrime kurse në listë ka edhe me vetëm dhjetëra ose aspak nënshkrime.

Gjithsej në listën e KSHZ-së janë 11 kandidatë dhe kandidatja e VMRO-DPMNE-së Gordana Siljanovska Davkova që ka paralajmëruar mbledhjen e nënshkrimeve më vonë gjatë procesit, pas konfirmimit në Konventën e partisë më 2 mars.

Kandidaturën duhet ta konfirmojë edhe Stevo Pendarovski, nëpërmjet dy metodave 30 nënshkrimeve nga deputetë ose 10 mijë nënshkrime nga qytetarë. Pendarovski nuk e ka thënë akoma fjalën e fundit.

Nënshkrimet për kandidatët mblidhen në zyrat rajonale të KSHZ-së çdo ditë, deri më 8 mars. /Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme