Nga koalicioni VLEN thonë se e kanë kthyer bujqësinë në prioritet real me politika konkrete, me fonde të kapshme dhe me mbështetje të drejtpërdrejtë, teksa kanë apeluar që fermerët t’i shfrytëzojnë shpalljet shtetërore.
VLEN thonë se me shpalljen e Thirrjes Publike nr. 04/2025 mundësohet modernizimi i sektorit bujqësor përmes mbështetjes së drejtpërdrejtë për blerjen e traktorëve të rinj.
“Kjo thirrje është pjesë e Programit për Mbështetje Financiare për Zhvillim Rural për vitin 2025, dhe synon fuqizimin e fermave tona përmes mekanizimit modern – sepse nuk ka bujqësi të fortë pa pajisje të forta! Detajet kryesore të masës 121.8 – Blerja e traktorëve: Mbështetje deri në 600.000 denarë për çdo aplikues; Pagesa realizohet në bazë të planit të biznesit dhe në baza vjetore; Thirrja vlen ekskluzivisht për blerje të traktorëve (jo për mekanizëm përcjellës); Të drejtë aplikimi kanë të gjitha fermat e regjistruara në Regjistrin Unik të Fermave pranë Ministrisë së Bujqësisë; Të përjashtuar janë aplikuesit që kanë marrë subvencione për traktorë gjatë 10 viteve të fundit përmes IPARD ose programeve kombëtare. Afati i fundit për dorëzimin e kërkesave është: 07.07.2025!”, thonë nga VLEN.