Gazetar: Suad Bajrami
Koalicioni VLEN i cilëson si dëshpëruese paralajmërimet e kreut të BDI-së Ali Ahmeti për siç thonë bojkot të zgjedhjeve lokale, shkruan Alsat.
Sipas VLEN, Ahmeti e përdor si alibi çështjen e Ligjit për përdorimin e gjuhëve pasi ka humbur besimin te qytetarët.
“Ali Ahmeti dje nga Likova vetë e konfirmoi: BDI po përgatit bojkotin e zgjedhjeve lokale. Po ashtu, e pranoi atë që ne e kemi thënë prej kohësh. Iniciativa për Ligjin për Përdorimin e Gjuhës Shqipe para Gjykatës Kushtetuese është kurth i fshehur i BDI-së, me të cilin dëshirojnë të përfitojnë politikisht duke dashur t’i shkaktojnë dëm VLEN-it. Ali Ahmeti nuk ka më opsion. Anketat e tyre e konfirmojnë të vërtetën e hidhur – shqiptarët nuk duan më t’i votojnë”, thonë nga VLEN.
Kreu i BDI-së opozitare, Ali Ahmeti, mbrëmë porosit që nëse Gjykata Kushtetuese e prek Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, nuk do të ketë zgjedhje lokale, të cilat janë të planifikuara të mbahen në tetor të këtij viti.
“Unë kam bërë një prononcim me njerëzit, kam shumë takime me popullin dhe kam thënë në qoftë se preket Ligji i Gjuhës, nuk ka zgjedhje lokale dhe nuk mund të vendosen kuti për t’u mbajtur zgjedhjet lokale. Nëse preket Ligji i Gjuhës dhe Ligji i Gjuhës nuk është i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ligji i Gjuhës është edhe i atyre që do lindin, derisa të lind dielli”, tha Ahmeti.
Kërkesa e BDI-së, është që bashkë me zgjedhjet lokale të mbahen edhe zgjedhjet parlamentare pasi sipas tyre, VLEN është përfshirë në qeveri edhe pse nuk i ka fituar zgjedhjet e fundit parlamentare dhe për këtë, u mungon legjitimiteti./ Alsat.mk