Për Akademinë Shqiptare do të vazhdojnë të punojnë, por VLEN-it i pëlqen edhe ideja e kryeministrit Hristijan Mickoski mbi strategjinë e re të ASHAM për zhvillimin e shtetit. Sipas Bilall Kasamit të gjitha opsionet janë të hapura.
“Shqiptarët janë në atë fazë të zhvillimit të tyre me tre universitete duhet të jenë të përfaqësuar në nivelin akademik. Janë të hapur të gjitha opsionet e zgjidhjes formale në tryezë. E kemi nisur projektin e Akademisë Shqiptare dhe do të vazhdojmë ta përkrahim si Komunë e Tetovës dhe si VLEN. Por sigurisht ne jemi të hapur për gjitha format e zgjidhjes së kësaj çështje. Ne nuk kemi asgjë kundër akademikëve shqiptar në ASHAM. Çdo zgjidhje institucionale e kësaj çështje do të ishte e mirëseardhur”, deklaroi Bilall Kasami, Koalicioni VLEN.
Kjo qasje e ndryshuar e VLEN-it ngrit pyetjen nëse projekti “Akademia Shqiptare” ishte mekanizëm përmes të cilit po tentohet përfshirja më thellë në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë. Kryeministri Hristijan Mickoski ditë më parë deklaroi se në strategjinë e re duhet përfshirë ASHAM dhe komuniteti i universiteteve, që sipas tij do të formulonin planin e veprimit për 25 vitet e ardhshme se në çfarë drejtimi do të shkon shteti. Mickoski tha se parashikimet aktuale flasin që për 70 vjet, në bazë të këtij trendi Maqedonia e Veriut do të shpopullohet.
Kreu i Qeverisë tha se mungesa e një strategjie të tillë bëri që vendi padrejtësisht për 20 vjet të bllokohet dhe të mos njihet nga shumë shtete në bazë të emrit kushtetues. /Alsat.mk