Gazetare: Melihate Rustemi
VLEN ka vazhduar edhe sot t’i bëj publike provat që sipas tyre dëshmojnë lidhjen e Ali Ahmetit me botën serbe. Sipas VLEN, aksionet të cilat familjari i Ali Ahmetit i’a ka shitur Alta Bankës nga Serbia më 17 shtator 2025, një vit më pare, respektivisht më 24 tetor 2024 i ka blerë nga ish drejtori i DSK-së, Sasho Mijallkov. Nga VLEN thanë se kjo është vetëm një pjesë e mozaikut të lidhjeve midis BDI-së, Mijallkovit dhe Vuçiqit duke shtuar se ky labirint financiar kap një shumë totale prej mbi 20 milionë euro.
“Pra, kemi një linjë të qartë, Sasho Mijallkovi, ish shefi i DSK-së, njeriu i të gjitha skemave kriminale të regjimit në Maqedoni të Veriut, i shet aksione familjes së Ali Ahmetit, ndërsa familja e tij ndërmjetëson midis Sasho Mijallkovit dhe bankës serbe. Në fund është “Alta Banka”, një bankë e regjimit të Aleksandar Vuçiqit, si blerës i fundit. Ka qenë indikative ajo fotografia në manastirin e Shën Naumit, por tashmë gjithçka është e qartë. Tash kemi edhe dëshmi financiare të kësaj lidhjeje”, tha Zeqirija Ibrahimi, VLEN.
VLEN thotë se pas retorikës patriotike të BDI-së dhe Ali Ahmetit fshihet një e vërtetë e ashpër, para, kriminalitet, interes personal dhe lidhje me strukturat antishqiptare në rajon.
“Me këtë lidhje, Ali Ahmeti dhe familja e tij po e vënë shtetin dhe shqiptarët në varësi financiare dhe politike nga Beogradi, ndërsa pse e bëjnë këtë, ata duhet ta shpjegojnë. Sidoqoftë, shqiptarët dhe të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut duhet ta dinë të vërtetën – BDI-ja nuk është më parti që i mbron interesat e shqiptarëve, por është kompani private e Ali Ahmetit për krim, korrupsion dhe pasurim personal e familjar”, shtoi ai.
VLEN tashmë dy ditë me radhë akuzon kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti se është përgjegjës për futjen e bankave serbe në Maqedoninë e Veriut. Sipas VLEN, Ali Ahmeti është partner financiar i Aleksandar Vuçiqit dhe se e përdor fuqinë e tij politike për interesa personale dhe familjare në biznes./Alsat.mk



