Nga Kim Mehmeti
Shoqëria e shqiptarëve të Maqedonisë është e ndarë në dy botë që nuk komunikojnë mes veti: në atë parajsianen ku jetojnë elitat politike dhe të gjithë të pëlqyerit dhe të dëgjueshmit e sunduesve maqedonas dhe në botën mjerane në të cilën banon populli.
Këto dy botë të ndara, takohen mes veti vetëm gjatë fushatave parazgjedhore dhe në ditën kur votohet.
Këto botë kurrë nuk kanë qenë kaq të ndara sa kohëve të fundit kur VLEN’i i ka katandisur shqiptarët udhës që në të ardhmen të mos përfaqësohen nga të zgjedhurit e vet, por nga shqiptarët e zgjedhur nga sunduesi maqedonas, pra që i bëri ata politikisht të mos vlejnë as pesë para.
Ndërkohë kaluan tri dekada që kurë asnjë nga vasalët shqiptarë nuk pati guxim të thotë se shqiptarët e këtushëm nuk duhet të kontribuojnë e ta njohin këtë Maqedoni përderisa ajo nuk ua dëmshpërblen plaçkitjen që ua bëri atyre duke i përjashtuar nga privatizimi i pronës shoqërore.
Siç kaloi thuajse një vit qëkur këta të VLEN’it vazhdojnë betejën kundër hajdutëve të BDI-së duke na quajtur shërbëtorë të kësaj partia opozitare neve që dy dekada me radhë e kritikonim partinë që e përvetësoi edhe emblemën e UÇK’së..
Pra na quajnë hyzmeqarë të BDI’së edhe këta të ‘Klanit të Llërcës’ që u vëllazëruan me LSDM’në maqedonase vetëm që ta shpëtonin lëkurën e vet politike shqiptare si dhe këta të ALTERNATIVËS pa alternativë që dikur u bën pjesë e qeverisë së LSDM’së si të birësuarit e BDI’së.
Po, shoqëria e shqiptarëve të Maqedonisë është e ndarë në dy bot që nuk i ndërlidhë asgjë; në atë ku jetojnë politikanët të cilëve sunduesi maqedonas u lejoi të vjedhin sa për t’ua mbyllur gojën që të mos flasin për vjedhjen e shekullit që iu bë shqiptarëve të këtushëm të përjashtuar nga procesi i privatizimit të pronës shtetërore. Dhe në botën ku jeton populli dhe të gjithë ne të tjerët që një ditë do duhet turpshëm të pranojmë se ndoshta pa hile e donim popullin, por nuk patëm guxim të bëheshim zëri i revoltës së tij./sakte.net