Vlimi ballkanik dhe mençuria jonë

Izolimi ynë përballë provokimeve e përplasjeve rajonale është i pamundur. Por është shumë e mundur të sillemi mençur sa për të mos bërë asist në një përshkallëzim të tillë. Mos të harrojmë; pjesa më e madhe e provokimeve ruse bëhen për qëllim të nxitjes reaguese të shqiptarëve. Tendencave ruse u duhet e u mungon veç një reagim zinxhiror. Dhe vetëm një komb ka mundësi të japë këtë reagim prej zinxhiri – janë pikërisht shqiptarët pra

-1-

Një vlim Ballkanik që po ngjanë – e do të ngjajë edhe për një kohë të gjatë – është pikërisht çfarë ishte paraparë në profecinë e një BE-je, që zgjerimin e saj nuk e ka më prioritet. Në momentin e parë që ky zgjerim është ngrirë e vënë në rend të dytë, kanë nisë çarjet e një harte me fushëbeteja gjithandej.

Çarja më e madhe, tani për tani, ndodhë në Maqedoni; dhe të njëjtës provohet t’i jepet karakter etnik. Problemet ndëretnike në Maqedoni janë evidente. Maqedonia sot është shteti me albanofobinë më të institucionalizuar se secili shtet tjetër në rajon. Por pavarësisht të gjithave, përplasja atje është shumë më e gjerë sesa veçse etnike. Sepse edhe vetë shqiptarët e diskriminuar në Maqedoni janë në aleancë me një pjesë të maqedonasve etnikë. Pra betejën me pushtetin paradiktatorial e kanë të përbashkët.

Në prapaskenë të nismës destabilizuese në Maqedoni është ballafaqimi i Rusisë me Perëndimin. Në të vërtetë, ky ballafaqim është i njëanshëm tani për tani, meqë Perëndimi ka kohë që është shndërruar në vëzhgues pa ndonjë ide se si duhet ta nxjerrë gjithë Ballkanin nga një rrugë qorre si kjo. Dhe do të mbetet vëzhgues përderisa nuk vendos të trajtojë Ballkanin në nivelet më të larta politike të saj, shumë më të larta se sa diplomatë të niveleve të mesme.

Në një vështrim më të gjerë e në një hapësirë kohore pak më të gjatë, ka një patern të shënuar me konsistencë. Lodhja evropiane me Ballkanin Perëndimor, pak për shkak të rritjes së tendencave joliberale atje, e shumë për shkak të burokracisë së stërrritur në Bruksel, ka krijuar një hapësirë të re për politikën ruse. Politika ruse, ndërsa, nuk ka pretendime që Ballkanin Perëndimor ta përdorë si potencial për inkuadrim nëpër klubet e veta. Si një ishull i rrethuar me vende të NATO-s e të BE-së, një pretendim i tillë do të ishte edhe për standardet e Putinit, çmenduri. Rusia ka një mision krejt më të thjeshtë. Në thelb, misioni kërkon krijimin e trazirave – nën pretekstet e llojllojshme – trazira që më pas mbajnë të zënë e në telashe gjithë Perëndimin. Kjo do t’i jepte Rusisë kohë e hapësirë të zgjerojë influencën e vet rreth zonave gjeostrategjike të saj; në Ukrainë e Gjeorgji në radhë të parë, në Siri e Lindje të Mesme më pas.

Sepse, në secilën llogaritje të mundshme, një konflikt i ri në mes të Evropës, do të vinte në prapaskenë të gjitha konfliktet në periferi të saj. Do t’i jepte Rusisë frymëmarrjen e kërkuar kaherë.

-2-

Në paternin e tillë, Rusia ka përdorur e provon të përdorë skenarë të llojllojshëm, por që në thelb kanë për lëndë të parë ndasitë etnike. Në fakt, skenari i Maqedonisë ishte replikim i përpiktë i skenarit të dështuar në Mal të Zi. Atje, në komplotin e dështuar që rezultojë me mbi 30 arrestime të paramilitarëve serbë e rusë, shkalla e intervenimit të paraparë ishte shumë më e lartë. Me siguri për shkak të leximit se për të ngjallur konflikt në një vend para-anëtar i NATO-s do të duhej vrasje – deri tek ajo e kryeministrit. Në Maqedoni, ky skenar duhej të kishte më pak forcë. Sepse gjasat e përplasjes etnike në Maqedoni janë shumë më reale sesa në Mal të Zi. Pra, në skenarin destabilizues, do të mjaftonte një ndezje më e lehtë, pa armë të rënda sikurse në Mal të Zi, për të përshkallëzuar në konflikt gjithë territorial. Ndezja, për fat të mirë tonin, nuk ndodhi.

Në skenarin rus ishte dhe provokimi i Serbisë në Veri të Kosovës. Treni, fillimisht, më pas muri, kërkonin mu këtë përshkallëzim. Ishte dashtë intervenim i nivelit më të lartë politik në BE, intervenim që mbërrinte deri tek kancelarja Merkel, për të parandaluar një konflikt të tmerrshëm ballkanas.

Por provokimi i Serbisë nuk ndalet me kaq. Në të vërtetë, Serbia është vazhdimisht duke shtyrë tensionet ndëretnike në Ballkan. Edhe te politika e fletarrestimeve, edhe te politika e reagimit ndaj ngjarjeve në Shkup, edhe te politika e proklamimit të Shqipërisë së Madhe – deklaratat zyrtare në Serbi janë në vijë të plotë me ato të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë. Janë në sinkronizim perfekt në ton, përmbajtje madje edhe në kohë të publikimeve. Një dualizim i tillë jep prapaskenën e qartë të koordinuesve.

Deri më tani, dhe me siguri, si ruajtëse e letrës së fundit nuk është përdorur vetëm Bosnjë-Hercegovina; atje gjasat për përplasje ndëretnike janë shumë më të mëdha se sa në Maqedoni. Influenca biznesore ruse është, po ashtu, më e theksuar e ndikimi i Perëndimit edhe më i ndarë.

Çfarë s’bën kuptim në gjithë këtë skenar është vlimi që ndodhë në Tiranë. Ndoshta shqiptarët atje po i bëjnë një asist vullnetar e pa vetëdije qëllimeve destabilizuese ruse. Por, gjithsesi, destabiliteti në një vend të NATO-s, edhe po të jetë i tillë, është më pak i dëmshëm sesa në vendet e tjera ballkanase.

-3-

Në një vlim të tillë është e pamundur të mos kontaminohemi dhe ne. Natyrisht se do të ndikohen investimet tona, stabiliteti ynë, projeksioni i Kosovës – çfarëdo qoftë ai. Në fund të ditës para forcave të mëdha integruese, ne shihemi krejt si një rajon.

Pra izolimi ynë është i pamundur. Por është shumë e mundur të sillemi mençur sa për të mos bërë asist në një përshkallëzim të tillë. Mos të harrojmë; pjesa më e madhe e provokimeve ruse bëhen për qëllim të nxitjes reaguese të shqiptarëve. Tendencave ruse i duhet e i mungon veç një reagim zinxhiror. Dhe vetëm një komb ka mundësi të japë këtë reagim prej zinxhiri – janë pikërisht shqiptarët pra. Rusia e di mirë se një përshkallëzim në Maqedoni, nuk mund t’i mbajë inferiorë shqiptarët në Kosovë e Shqipëri. E di se një përplasje në Veri nuk do të izolojë reagimin e shqiptarëve të tjerë njëtrajtësisht. Mbi të gjitha e di se shqiptarët s’mund t’i ketë aleatë asnjëherë, prandaj i ka në thelb të provokimeve të para.

Shqiptarët në Kosovë duhet të tregohen më të maturit. Dhe maturia kërkon bërjen e dy hapave të mençur shumë. Hapi i parë ka të bëjë me shmangien e secilit konflikt ndërpartiak në vend. Në këtë fazë na duhet me finesë të kalojmë dallimet rreth demarkacionit, sepse janë krejt të parëndësishme përballë forcës provokuese që kemi përpara. Në një lojë më të mirë politike, dallimet e demarkacionit do të jepnin dhe liberalizim – pra në hap më tutje drejt evropianizimit. Por po që s’morëm liberalizim, është e domosdoshme që së paku të mos bëjmë destabilizim. Një përplasje ndërshqiptare, sikurse ajo e viteve 2015 e 2016, do të krijonte hapësirë e shkas për një seri provokimesh në Veri. Sot, mrekullisht, kur gjithë regjioni është në vlim, Kosova është krejt në qetësi. Tjetër çka që qetësia jonë ka të bëjë me mosbërjen e asgjëje. Pra jemi të qetë, sepse s’bëjmë gjë; por megjithatë s’jemi në vlim.

Hapi i dytë, ka të bëjë me ndërtimin e aleancave pro-perëndimore në Ballkan. Pra shqiptarët e Kosovës, pasi të kenë zgjedhur problemet e veta, duhet të presin – madje dhe të kërkojnë – zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve në Shqipëri. Së bashku, më pas, do të duhej të ndërtonim aleancë me Qeverinë në Mal të Zi dhe me Qeverinë e re në Maqedoni. Këtë aleancë të re duhet ta promovojmë në Perëndim si forcë garantuese e shpërfilljes ruse në rajon; dhe mbi të gjitha, si forcë shumë etnike ballkanase. Një aleancë e tillë do ta vinte Serbinë në presion e Rusinë pa faktor destabilizues në Ballkan.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme