Avokati Azem Vllasi i tha Radios Evropa e Lirë se “sulmuesi kishte një armë zjarri me silenciator dhe sipas karaktersitikave ishte një atentator i porositur”.
Vllasi u plagos të hënën në mëngjes, nga një person, për të cilin policia është vënë në ndjekje.
Avokati Vllasi është shtrirë në QKUK në Prishtinë, por mjekët thonë se jeta e tij është jashtë rrezikut.
“Para orës 8 në mëngjes dikush i ra ziles. Dola. Një person mbante letra në dorë. Tha se kishte një problem pronësor. I thash se këto unë nuk i punoj dhe që të shkojë në rrugën përballë tek një tjetër avokat. A ka ardhur nga Gjermania apo e ka dërguar dikush, nuk e di. Kam hyrë të shkruaj në një copë letër numrin dhe t’ia japë. Kur kam dalë ai më ka sulmuar tek dera me një revole me silenciator, evidente i përgatitur, më ka sulmuar dhe më ka qëlluar në krah e pastaj iku”, ka thënë Vllasi duke shtuar.
“Sipas të gjitha karakteristikave ai ishte një atentator i porositur. Pse dhe nga kush, hetimet do të tregojnë. Në bazë të punës sime profesionale, nuk kam dhe nuk kam pasur asnjë problem me askë. Familja ime nuk ka problem dhe as kontest me asnjeri. Nuk e di se cka të mendoj dhe nuk dua të hamendësoj. Hetimet do të tregojnë cdo gjë”, tha Azem Vllasi për Radion Evropa e Lirë.