Gazetar: Zekirija Haxhiu
Pas largimit të ASH-së së Taravarit nga Qeveria, priten edhe ndryshime kadrovike në Qeveri, veçanërisht në ato pjesë të kulaçit qeveritar që i takonte Taravarit. Kryeministri Hristijan Mickoski për momentin nuk zbulon nëse do të ketë vetëm zëvendësim të emrave në pozita të caktuara që i përkasin VLEN-it, apo nëse do të ketë rrotacion të pozitave ministrore, respektivisht shkëmbim të resorëve mes VMRO dhe VLEN. Për të vendosur për të gjitha këto çështje, komiteti eksekutiv i VMRO-DPMNE-së, autorizoi kryetarin e partisë, Hristijan Mickoski.
“Praktikisht mora leje thënë me gjuhë të popullit të nominojmë emrat të rinj të cilët do t’i zëvendësojnë emrat e atyre që vendosën të shkojnë në krahët e Ali Ahmetit dhe BDI-së. Në periudhën që vijon shumë gjëra do të jenë më të qarta kështu që le të jemi të durueshëm dhe të flasim. Në ato bisedime jam i sigurt se do të arrijmë marrëveshje kështu që pres që gjatë javës së ardhshme të kemi diçka më tepër rreth kësaj teme”, deklaroi Hristijan Mickoski – Kryeministër.
Sa i përket Shëndetësisë, dikaster të cilin e udhëhoqi Taravari, Bilall Kasami shprehet se këtë resor VLEN e ka marrë pikërisht për shkak se e kishte kërkuar Taravari. Nëse kanë kuadër që mund të zëvendësojë atë, do ta propozojnë.
“Unë e thash si një mundësi që nëse do të ketë nga VLEN ndonjë kombinatorikë tjetër për ndonjë kuadër tjetër shumë i rëndësishëm do ta bisedojmë me Qeverinë që të ketë rrokadë. Por për momentin nuk është folur. Mbetet ministria e shëndetësisë tek VLEN-i, pra pozicionet që i kemi pasur mbeten tek VLEN-i por sigurisht që në bazë të rrethanave, pra me daljen e Arben Taravarit jemi të gatshëm të bisedojmë për kombinatorika të reja, por për momentin nuk ka kështu bisedime”, tha Bilall Kasami – VLEN.
Zv.kryeministri Izet Mexhiti, paralajmëron se loja tani sapo ka filluar dhe do të luhet në terrenin e Frontit Evropian.
“Sa i përket deputetëve, mendoj që loja nuk ka përfunduar. Loja sapo ka filluar. Nëse dikush ka menduar që me lëvizjen e z.Taravari ka përfunduar loja atëherë do ta shohim në vijim se kjo lojë do të vazhdon dhe do të luhet në terenin e Frontit Evropian”, u shpreh Izet Mexhiti – VLEN.
ASH në përbërjen aktuale qeveritare ka një zv.kryeministër, ministrinë e shëndetësisë, dy zv.ministra në bujqësi dhe mbrojtje. Në mbledhjen e fundit të kryesisë, nuk mori pjesë zv.kryeministri Arben Fetai duke shtuar dilemat nëse ky i fundit mund të qëndrojë në Qeveri si pjesë e koalicionit VLEN. Në VLEN gjithashtu flitet se mund të vazhdojnë edhe së paku dy deputetë të ASH-së së Taravarit. /Alsat.mk