Gazetare: Melihate Rustemi
Opozita maqedonase VMRO-DPMNE vazhdon me akuzat se në jogurtin me proteina nga Serbia dhe qumështin e një qumështoreje nga Maqedonia ka pasur amflatoksin mbi kufirin e lejuar. Cvetan Tripunovski, kryetar i Komisionit për Bujqësi, në VMRO-DPMNE, prezantoi dokumente për qumështin dhe produktet e qumështit të cilësisë së ulët që përfundojnë në tregun vendas.
“Në jogurtin me proteina të importuar nga Republika e Serbisë, rezultatet tregojnë se ka rritje të nivelit të amflatoksinës, dokumenti i dytë është një raport laboratorik për qumështin nga një qumështore nga Republika e Maqedonisë, i cili gjithashtu tregon praninë e amflatoksinës mbi kufirin e lejuar. Këto dokumente janë një tjetër tregues se kontrolli i qumështit dhe produkteve të qumështit, vendas dhe të importuar, nga Agjencia e Ushqimit nuk përputhet me nevojat për të mbrojtur qytetarët nga abuzimet”, deklaroi Cvetan Tripunovski, VMRO-DPMNE.
Gjithashtu, Tripunovski një ditë më parë akuzoi se 20 tonë qumësht të importuar nga Serbia, i cili është vënë në përdorim në vendin tonë është zbuluar amflatoksinë M1 mbi nivelin maksimal të lejuar. Tripunovski paralajmëroi se është e dëmshme të pihet dhe mund të shkaktojë helmim dhe komplikime të tjera shëndetësore për qytetarët.
Nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AHV) u përgjigjën se pretendimet e Tripunovskit janë të pabaza duke përhapur panik dhe duke i mashtruar qytetarët. Agjencia thotë se me rastin e importimit të qumështit nga Serbia në Bosnje dhe Hercegovinë, mostrat merren në pikat kufitare, përkatësisht dërgesat nuk vihen në qarkullim derisa të arrihet një rezultat i kënaqshëm i testit. Gjithashtu nga Agjencia thanë se qumështi është kthyer në Republikën e Serbisë në përputhje me procedurat e përcaktuara me ligj.
Tripunovski sot ka kërkuar edhe dorëheqjen e kreut të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Nikolçe Babovski. Ndërkohë, ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi për këtë rast tha se qytetarët duhet t’u besojnë institucioneve dhe jo deklaratave të disa politikanëve për mbledhjen e pikëve politike ditore. /Alsat.mk