Pensionistët me modelin e paralajmëruar të qeverisë për rritjen e pensioneve do të marrin atë që u shkurtua tre vjet më parë. Lideri i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski thotë se qeveria po e promovon të njëjtin model që ishte praktikuar deri në vitin 2018, për ta mashtruar opinionin tani me modelin zviceran, shkruan Alsat.
“Atë që u vodhën pensionistëve dhe për të cilën folëm tre vite më parë, tani po mundohen ta rregullojnë, duke e paraqitur si model inovativ zviceran dhe ky është praktikisht ligji i para vitit 2018, të cilin e hoqën, kur miratuan ligj me të cilin ua ulën pensionet pensionistëve dhe tani po mundohen të përdorin disa marifete për të paraqitur modele zvicerane, në të cilat nuk ka asgjë zvicerane”, tha Hristijan Mickoski – Kryetarë i VMRO-DPMNE-së
LSDM thotë se marrëveshja e arritur për rritjen e pensioneve do të jetë historike, dhe pensionet do të rriten mesatare për 900 denarë.
“Me këtë metodologji të re, pensionistët me pension mesatar që aktualisht është 16.300 denarë, nga shtatori çdo muaj do të kenë rritje të pensionit mesatarisht prej 900 denarë. Mesatare prej 900 denarë në llogari është një rritje rekord e pensioneve në historinë e Maqedonisë së Veriut”, tha Cvetanka Lazarova, Forumi i Pensionistëve të LSDM-së
Pensionistët dhe zyrtarët e qeverisë arritën dje marrëveshje për ndryshimin e modelit të pagesës së pensioneve. Me këtë, pensioni do të rritet ashtu si do rriten shpenzimet e jetesës dhe rritja e pagës minimale. Kjo do të ndodhë dy herë në vit në mars dhe shtator. Përveç kësaj, pensionistët do të marrin edhe një mijë denarë shtesë për muajin prill, maj dhe qershor. /Alsat.mk