Vijojnë reagimet për blerjen e qendrës tregtare Soravia në vlerë prej rreth 30 milionë eurosh nga nipi i Ali Ahmetit. Nga VMRO DPMNE kërkojnë zbardhjen e prejardhjes së parave të Drin Ahmetit.
“Tor-Industries është një kompani e themeluar dy vite më parë nga Drin Ahmeti – djali i vëllait të Ali Ahmetit. Për të njëjtat dy vite ai nuk ka treguar asnjë fitim, që do të thotë se pa asnjë shërbim të realizuar blen një objekt luksoz afarist në qendër të Shkupit. Të kujt janë paratë që hynë në kompaninë e të riut Ahmeti? A janë para të dyshimta ‘cash’ të mbledhura nga tenderët apo të ndonjë shpërblimi për një ujdi të kryer biznesi! Ahmeti dhe BDI duhet menjëherë t’u përgjigjen këtyre pyetjeve, të vërtetojnë origjinën e parave të kompanisë së nipit dhe institucionet të nisin menjëherë procedurë. Krahas kësaj, shqetësues është edhe fakti që Grubi, i cili paraqitet si mburojë e përjetshme e Ali Ahmetit, nuk është paraqitur askund për të mbrojtur komandantin e tij”, deklaroi Dragan Kovaçki, Deputet i VMRO DPMNE-së. /Alsat.mk