VMRO: Lufta e Joveskit ndaj korrupsionit, gënjeshtër

Gazetare: Fatlume Dervishi

Masat e kryeprokurorit Lubomir Joveski për të luftuar krimin dhe korrupsionin, sipas VMRO-DPMNE-së janë manipulim dhe gënjeshtër, edhe atë, e organizuar nga vetë pushteti dhe Joveski që është i afërt me të. Partia opozitare kujton se Joveski është në postin e kryeprokurorit që nga dhjetori i vitit 2017 dhe nuk ka ndërmarrë masa dhe hapa për ndjekjen e krimit dhe korrupsionit të lartë.

“Lubomir Joveski për momentin është para shkuarjes në histori dhe lufton që bashkëpartiakët e tij ta emërojnë në Gjykatën Kushtetuese. Mjaft është me gënjeshtra, mjaft është me hedhjen pluhur në sytë e opinionit, nuk kanë zgjidhur asnjë rast me krim dhe korrupsion ndërkohë që Maqedonia mbytet në krim dhe korrupsion. Kjo është vetëm edhe një gënjeshtër dhe manipulim nga ana e pushtetit të LSDM-së dhe BDI-së”, deklaroi Naum Stoillkovski, VMRO-DPMNE.

LSDM-ja thotë se mbështet masat që merren për të luftuar korrupsionin
“Çdo hap apo iniciativë që i referohet forcimit të luftës kundër korrupsionit duhet të mbështetet. Partitë nuk janë as gjykatës e as prokurorë. Gjyqësori dhe prokuroria janë institucione kompetente që duhet të veprojnë dhe për të cilat qytetarët me të drejtë reagojnë dhe janë të pakënaqur me punën e tyre. Në këtë drejtim presim që prokuroria dhe gjykatat të bëjnë punën e tyre. Ndryshku i sistemit gjyqësor si pasojë e qeverisjes 11-vjeçare të DPMNE-së duhet riparuar rrënjësisht”, thonë nga LSDM.

Komisioni i Prokurorisë Publike gjatë një vëzhgimi në Prokurorinë Themelore të Strugës, Prokurorinë e lartë në Manastir dhe në Prokurorinë Themelore për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit konstatoi se që nga viti 2006 ka gjithsej 30 lëndë kundër Ramiz Merkos dhe komunës së Strugës, në kohën kur ai ka drejtuar komunën. 14 prej tyre janë vjetërsuar kurse 16 janë aktive. Pas kësaj, Prokuroria e Joveskit njoftoi opinionin për një sërë masash që pretendon se i ka marrë ose do t’i marrë: shkresë deri te të gjithë prokuroritë themelore dhe të larta për të përditësuar veprimin e tyre te të gjitha lëndët në fushën e korrupsionit, posaçërisht kur bëhet fjalë për funksionarë të zgjedhur dhe të emëruar, kontroll të rregullt të këtyre lëndëve nga prokuroritë e larta, aktivizim i frontit nacional për luftë kundër korrupsionit në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme, Policinë Financiare, Revizioni dhe Antikorrupsioni si dhe të gjendet mekanizëm që prokurorët të paraqesin presionet e mundshme ndaj tyre.

Joveski është në krye të Prokurorisë Themelore me propozim të pushtetit dhe është në listën e pritjes për t’u zgjedhur anëtar i Gjykatës Kushtetuese, po me propozim të pushtetit. /Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme