VMRO proteston para Qeverisë, sulmuesit e Parlamentit i quan patriotë

Mbrëmë në Shkup partia opozitare maqedonase VMRO-DPMNE mbajti marsh protestues në të cilën morën pjesë mijëra qytetarë.

Mbrëmë në Shkup partia opozitare maqedonase VMRO-DPMNE mbajti marsh protestues në të cilën morën pjesë mijëra qytetarë në shenjë revolte për shkak të vendimit të Prokurorisë Themelore Publike për ndjekjen e personave, të cilët morën pjesë në ngjarjet e 27 prillit të këtij viti në Parlamentin e Republikës së Maqedonisë.

Protesta filloi para Ministrisë së Drejtësisë të Maqedonisë prej ku qytetarët e tubuar brohoritën slogane “Liri për patriotët”, “Drejtësi patjetër të ketë” dhe “Maqedonia”, duke kërkuar drejtësi për personat, të cilët Prokuroria i ndjek për ngjarjet e 27 prillit.

Nga Ministria e Drejtësisë marshi protestues vazhdoi para Qeverisë së Maqedonisë ku të pranishmëve iu adresua lideri i VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski, i cili në fjalimin e tij tha se është e nevojshme amnisti për pjesëmarrësit në ngjarjet e 27 prillit në Parlamentin e Maqedonisë dhe fillimi i një periudhe të pajtimit kombëtar.

“Është i nevojshëm pajtim kombëtar, është e nevojshme të ndërpriten përndjekjet politike, është e nevojshme të ndalen padrejtësitë në Maqedoni. Maqedonia duhet të ecë përpara. Maqedonisë i duhen reforma, hyrje në NATO dhe BE, investime, vende pune dhe para së gjithash drejtësi”, tha Gruevski.

Qytetarët e tubuar porositën se do të protestojnë edhe nesër dhe në ditët në vijim përderisa, siç thonë, nuk vihet në rend drejtësia.

Protestat mbahen për të pestën ditë me radhë, pasi që Gjykata Penale javën e kaluar solli vendim me të cilin shqiptoi 13 masa paraburgim me nga 30 ditë dhe 6 masa arrest shtëpiak për personat të cilët Prokuroria Themelore Publike e Maqedonisë i ndjek për “Kërcënim terrorist dhe cenim të rendit kushtetues të shtetit” në lidhje me ngjarjet në Parlament më 27 prill të këtij viti.

Më pas, Parlamenti i Maqedonisë votoi për heqjen e imunitetit të gjashtë deputetëve të VMRO-DPMNE-së të cilët ndiqen nga Prokuroria për ngjarjet në shtëpinë ligjvënëse.

Masa e paraburgimit prej 30 ditësh për deputetët e Parlamentit të Maqedonisë u parashtrua më 28 nëntor të këtij viti nga ana e Gjykatës Penale në Shkup – Sektori kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Kujtojmë se më 27 prill të këtij viti, demonstruesit të udhëhequr nga Iniciativa qytetare “Për Maqedoni të përbashkët” me dhunë hynë në Parlamentin e Maqedonisë pas zgjedhjes së Talat Xhaferit për kryetar të këtij institucioni, me ç’rast u lënduan qindra persona, në mesin e të cilëve deputetë, policë dhe përfaqësues të mediave.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme