Zëvendëskryeministri dhe funskionar i VMRO-DPMNE-së Nikolla Todorov, lidhur me shlyerjen e parlajmëruar nga ana e KSHZ-së të rreth 40.000 votuesve, ka thënë se bien në ujë kundërshtimet e LSDM-së, sepse, siç tha, “shumica e votuesve që do të fshihen nga listat e votimit janë shqiptarë dhe janë votues në njësinë zgjedhore numër 6”.
Po të ishin maqedonas këta votues fantazmë, siç pretendon LSDM-ja, atëherë VMRO-DPMNE në njësinë zgjedhore numër 6 do të kishte 18, ndërsa BDI dhe PDSh nga 1 ose 2 deputetë, tha Todorov në një intervistë për televizionin Telma.
Partitë shqiptare të apostrofuara në këtë intervistë jo vetëm që nuk kanë reaguar lidhur me pretendimet për shlyerjen e rreth 40.000 votuesve shqiptarë në njësinë zgjedhore numër 6 por nuk kanë reaguar as për atë që Todorov i OBRM-PDUKM u “ka lënë nga 1 apo dy deputetë” në këtë njësi zgjedhore.
Njësia numër 6 përfshin vendbanimet me shumicë dërrmuese shqiptare, si Tetova, Gostivari, Kërçova, Dibra… dhe partitë shqiptare të Maqedonisë numrin më të madh të deputetëve e fitojnë pikërisht në këtë njësi.