Viola Von Cramon, eurodeputetja gjermane dhe raportuesja për Kosovën ka qëndruar për disa ditë në shtetin serb. Ajo ka dhënë një intervistë për mediat serbe teksa ka folur rreth qendrës ruse në Nish si dhe raportet mes Kosovës dhe Serbisë.
E pyetur nga gazeta beogradase, “Blic” në lidhje me kërkesat për distancim nga Rusia, e cila ishte edhe në raportin e progresit, Viola von Cramon tërheq si argument Qendrën Ruse në Nish, e cila pretendon se është e angazhuar në aktivitete spiunazhi.
“Serbia është afër Rusisë në shumë aspekte”, thotë Von Cramon, eurodeputetja gjermane, e cila ditë më parë u sulmua verbalisht nga disa mbështetës të partisë së Aleksandar Vuçiqit.
Duke folur për situatën në Serbi dhe perspektivën e saj evropiane, Von Cramon thotë se aktualisht është “e pamendueshme që ajo të flasë për hapjen e kapitujve të rinj”.
Duke folur për Kosovën, për të cilën është raportues në Parlamentin Evropian, Von Cramon thekson se “disa njerëz kanë interes për provokime, nga të dyja palët, dhe kjo nuk është e shëndetshme”.
“Besoj se do të ketë një paketë në fund të procesit, por kjo varet nga njerëzit këtu dhe në Prishtinë. Nuk pres që të ndodhë asgjë para 3 prillit, për shkak të zgjedhjeve (në Serbi), të cilat nuk mendoj se janë të nevojshme”, thotë Von Cramon dhe shton se “bojkoti i opozitës herën e kaluar nuk e ndihmoi vendin”, dhe se shpreson që “këtë herë të jenë më të zgjuar”.