Në zgjedhjet e ardhshme parlamentare pritet të votojë edhe diaspora. Emigrantët që duan të futen në histori si të parët shqiptarë që votuan nga jashtë vendit, duhet ta përdorin këtë kohë për të grumbulluar dokumentet e nevojshme.
KQZ është duke e përfunduar aplikacionin PER, i cili mund të shkarkohet në telefon apo kompjuter. Përdorimi i tij është e vetmja formë që diaspora të marrë pjesë në zgjedhje. Hapi i parë është regjistrimi si votues nga jashtë. Ky proces do të hapet në 11 janar dhe do të mbyllet më 11 mars.
Gjatë këtyre dy muajve, emigrantët duhet ta kryejnë procesin, duke krijuar një profil në aplikacionin PER. Regjistrimi kërkon dy dokumente bazike:
1. Një mjet identifikimi i lëshuar nga shtetit shqiptar, që mund të jetë pasaportë apo kartë identiteti. Në momentin e regjistrimit pranohen edhe dokumente që ju ka skaduar afati i vlefshmërisë.
2. Së dyti, do t’ju duhet një dokument që provon se emigranti banon në atë adresë që ka deklaruar. Këtu, KQZ-ja ka lënë dorë të lirë, ku qytetarët mund të ofrojnë ç’u gjendet, mjaft të jetë zyrtare. Nga kontratat e qirasë, tek ato të abonimeve apo faturat e ujit, dritave e gazit.
Adresa është e rëndësishme, sepse zarfet me fletën e votimit KQZ do t’i dërgojë pikërisht aty. KQZ do ta njoftojë emigrantin nëse aplikimi i tij u pranua me sukses dhe do t’i kërkojë plotësime kur është e nevojshme. Pas regjistrimit, emigranti do të hiqet nga lista e zgjedhësve në Shqipëri. Për 11 majin, do të prodhohet një listë votuesish nga jashtë dhe një tjetër lista e zgjedhësve brenda vendit.
TË DHËNAT
Socialistët prej disa muajsh kanë nisur një proces për krijimin e një baze të dhënash për të gjithë emigrantët, regjistër i cili do të jetë gati në fund të këtij muaji. Mbështetja me votë nga shqiptarët që jetojnë jashtë është një betejë e re mes dy kampeve në zgjedhjet e 11 majit, ndaj socialistët duken shumë të angazhuar që ta marrin këtë mbështetje.
Gjatë mbledhjes së djeshme të kryesisë së PS-së, të gjithë drejtuesit politikë kanë raportuar për të gjithë situatën në qarqet e tyre, si për regjistrimin e emigrantëve, ashtu dhe problematikat që hasen në zonat e tyre 5 muaj përpara zgjedhjeve. Në dalje, interesit të gazetarëve për diskutimet në mbledhjen që zgjati më shumë se 2 orë, kreu i mazhorancës, Edi Rama, iu përgjigj me ftesën e tij të përsëritur: “Anëtarësohuni në PS”! Por, mësohet se edhe pse me strukturat e Dibrës u prezantua të shtunën si drejtues i ri politik i këtij qarku, zyrtarisht kryesia e Partisë Socialiste e ka miratuar këtë të hënë emrin e Blendi Klosit, sekretarit të përgjithshëm, i cili zëvendëson Blendi Gonxhjan. Ky i fundit do t’i shtohet tre drejtuesve të Tiranës, Veliaj, Manastirliu dhe Spiropali, me fokus zonën e Kombinatit.
Arsyet e kësaj lëvizjeje zyrtarisht lidhen me angazhimin e madh që ka Gonxhja si ministër i 3 dikastereve, çka sipas drejtuesve të PS-së nuk i lë kohë për një impenjim maksimal dhe për detyrën e drejtuesit të një qarku të vetëm. Por kjo ishte vetëm një nga pikat e mbledhjes së forumit drejtues të selisë socialiste, pasi vëmendja e anëtarëve të Kryesisë dhe kryetarëve të bashkisë që morën pjesë virtualisht ishte organizimi për votën e emigrantëve.
/Gazeta Panorama