Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dalë me një njoftim të rëndësishëm lidhur me procesin e regjistrimit të emigrantëve për votimet e 11 majit.
Përmes këtij njoftimi, KQZ bën me dije se institucioni nuk ka angazhuar asnjë person që të japë ndihmë në terren jashtë shtetit për regjistrimin e emigrantëve për votimet.
KQZ-ja bën apel që kushdo që konsiston person që identifikohet si përfaqësues i këtij institucioni, me pretendimin se është ndihmues në procesin e regjistrimit, të bëjë denoncimin në Prokurori, pasi është skemë mashtrimi.
Njoftimi i plotë:
Deklaratë Publike: KQZ Nuk Ofron Regjistrim në Terren
Regjistrimi i votuesve nga jashtë kryhet vetëm nëpërmjet Platformës Elektronike të Regjistrimit (PER), e cila mund të aksesohet në www.kqz.gov.al ose përmes aplikacionit zyrtar të KQZ për telefona smart.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk ka ofruar dhe nuk ofron asnjë lloj ndihme apo mbështetje për regjistrimin në terren. E vetmja ndihmë dhe mbështetje për çdo votues nga jashtë ofrohet ekskluzivisht nga Qendra e Ndihmës pranë KQZ dhe vetëm përmes:
Thirrjeve telefonike
Mesazheve në WhatsApp
Chatbot-it
Email-it zyrtar të KQZ
KQZ nuk ka autorizuar asnjë person tjetër që, në emër dhe për llogari të institucionit, të angazhohet në procesin e regjistrimit të votuesve nga jashtë.
Kushdo që konstaton persona që prezantohen si përfaqësues të KQZ në ambiente të tjera, jashtë institucionit, duhet ta denoncojë menjëherë rastin pranë organit të prokurorisë.
Përtej kësaj, KQZ siguron të gjithë votuesit nga jashtë se procesi i regjistrimit është në përputhje me të gjitha standardet e sigurisë të vendeve të Bashkimit Europian, i mbrojtur nga çdo interes, ndikim politik apo partiak.
KQZ nuk ka autorizuar askënd tjetër që në emër dhe për llogari të këtij institutioni të angazhohet në procesin e regjistrimit të votuesve nga jashtë, as për brenda vendit dhe më shumë akoma as për jashtë vendit.