Megjithatë ai ende nuk ka marrë ndonjë vendim për ndryshim qëndrimi nga ky koalicion. Brenda kësaj partie për “Zërin” kanë thënë se AKR-ja do t’u qëndrojë besnikë partnerëve të deritanishëm.
Nënkryetari i kësaj partie, Korab Sejdiu, është shprehur i vendosur që nuk do ta ndryshojë qëndrimin që kishte deri më sot.
Por të bindur në përkrahje janë koalicioni PAN, që janë shprehur të bindur që më 24 gusht kandidati i tyre, Kadri Veseli, do të zgjidhet kryetar Kuvendi.
Në anën tjetër, njohësit e çështjeve politike nuk e përjashtojnë mundësinë që deputetët e AKR-së të votojnë të ndarë.
Pal Lekaj, shef i Grupit Parlamentar të AAK-së dhe deputet i koalicionit PAN, ka deklaruar se PAN-i ka besim të plotë që më 24 gusht kandidati i tyre, Kadri Veseli, do të zgjidhet kryetar Kuvendi.
Kjo do të arrihet, sipas tij, pas diskutimeve që PAN-i pasur me deputet të partive tjera, por edhe me parti, që aludohet të jetë AKR-ja e Behgjet Pacollit.
“Ne kemi diskutime me individë dhe me parti, prandaj 24 gushti po shpresojmë dhe besojmë që do të jetë data kur do ta marrë drejtimin e duhur krijimi i institucioneve të reja të Republikës së Kosovës. Ne si PAN i qëndrojmë marrëveshjes parazgjedhore në pozicionet për të cilat edhe jemi dakorduar. Prandaj besojmë që diskutimet që kanë ndodhur, si të brendshme ashtu edhe të jashtme, PAN-it do t’i rezultojnë me konstituimin e Kuvendit dhe të Qeverisë në datën e caktuar për vazhdimin e seancës, ku do të zgjidhet z. Veseli për kryetar të Kuvendit dhe pastaj edhe z. Haradinaj si kryeministër i ardhshëm”, tha Lekaj për “Zërin”.
Ndërsa Korab Sejdiu, nënkryetar i AKR-së, ka thënë se më 24 gusht AKR-ja do ta mbajë qëndrimin që e ka pasur deri më tani përkrah LDK-së.