Të paktën kështu po thotë monitoruesi i punës së Kuvendit nga KDI-ja, Albert Krasniqi.
Ai për lajmi.net ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës nuk duhet të abuzojë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese që i ka dhënë të drejtën partisë fituese ta zgjedhë kandidatin për kryetar të Kuvendit, por që sipas tij duhet ta gjejë një kandidat të pranueshëm për të gjithë.
“Nëse koalicioni PAN nuk i ka 61 vota dhe insistojnë në Kadri Veselin i cili është i papranueshëm për krahun tjetër, mundet me pas zhagitje dhe prolongim të konstituimit të Kuvendit. Është mirë të ketë një konsensus brenda partive. Gjykata Kushtetuese ia ka dhanë të drejtën partisë e cila ka dalë e para me e paraqit kandidatin mirëpo kjo nuk bën të abuzohet prej PDK-së, që të cilësohet veç një kandidat, por të gjendet një kandidat i cili është i pranueshëm për shumicën parlamentare”, ka thënë Krasniqi.
Por që sipas tij, nëse koalicioni PAN i ka siguruar 61 vota, nuk do të ketë ndonjë bllokadë.
Si njohës i punës së Kuvendit, Krasniqi ka treguar se proceduralisht mund të ndodhë që edhe Qeveria të votohet në ditën e konstituimit të Kuvendit.
Ai ka thënë se mjafton sigurimi i 40 nënshkrimeve, the të thirret një seancë e jashtëzakonshme.
“Ka ndodhë edhe më herët që Kuvendi me u konstitu dhe Qeveria me u zgjedh në të njejtën ditë, krejt çka duhet bërë është një kërkesë e cila duhet ketë 40 nënshkrime të deputetëve për seancë të jashtëzakonshme në të cilën parashihet votimi i Qeverisë dhe mundet që atë ditë me u zgjedh kryeministri dhe kabineti qeveritar”, u shpreh Krasniqi.
Sipas tij në bazë të rregullores seancë duhet të thirret tri ditë më herët që deputetë të njoftohen me rendin e ditës, por që nëse sigurohen 40 nënshkrime kjo procedurë mund të shmanget.
Senaca konstitutive e Kuvendit është thirrur me 3 gusht, ditën e enjte. /Lajmi.net/