Vrasësi i drejtorit të Policisë së Vlorës mund të jetë nga Kosova

Vrasja e Artan Cukut, kishte kohë që ishte planifikuar dhe për këtë, personi që ka dashur të vdekur ish-drejtorin e Policisë së Vlorës, duket se ka paguarnjë vrasës me pagesë.

Në një video të publikuar nga policia e Tiranës, duket qartë autori i krimit, i cili i veshur sportiv dhe me doreza, vrapon ngadalë teksa largohet nga zona e krimit.

 

Vrasësi i kishte kushtuar shumë rëndësi këtij ekzekutimi, pasi jo vetëm do të eliminonte një ish-funksionar të lartë policie, por dhe kishte studiuar me detaje, çdo lëvizje të tij,madje ishte përshtatur në veshje, si një vrapues i zakonshëm i zonës së liqenit.

Vrasësi mund të jetë nga Kosova

Videoja është filmuar nga kamerat e sigurisë së pallatit ku duket mjaft qartë autori i cili largohet me një vrap të lehtë nga vendi i ngjarjes. Policia ka kërkuar ndihmën e qytetarëve që të identifikojnë autorin e vrasjes së Cukut.

Ajo ka vënë në dispozicion numrin e celularit 0694110299 ku mund të kontaktojë çdo qytetar i cili ka parë autorin. Më herët policia ka ofruar një shpërblim prej 3 mln lekësh për çdo person i cili do të jap informacione të vlefshme mbi vrasjen e ish-kreut të Policisë.

Autori është me dorashka, shall, kapele, atlete dhe tuta sportive siç mund ta shihen dhe në video. Ai është i gjatë rreth 1.70 dhe në bazë të dëshmisë së gruas së Cukut dhe administratorit të pallatit, autori kishte një theks verior.

Dyshimet flasin se personi që ka qëlluar ish-funksionarin e lartë të Policisë së Shtetit, mund të ketë qenë një vrasës me pagesë nga Kosova. Vrasësi është parë nga administrator i pallatit, pak para momentit të vrasjes teksa qëndronte i ulur tek shkallët e pallatit. I pyetur nga administratori, autori është përgjigjur se po priste dikë për t’i dhënë çelësat e shtëpisë.

Mirëpo pas kësaj biseda, sapo administrator ka shkuar në shtëpi, ai u ka thënë policisë se ka dëgjuar të shtëna me armë, dhe teksa zbritur poshtë ka konstatuar trupin e Artan Cukut të shtrirë në hollin e pallatit. /Shqiptarja.com