Lidhur me vrasjen e Lulzim Vishës në Kamëz, ngjarje e ndodhur mëngjesin e 24 janarit, forcat RENEA kanë ushtruar kontrolle në banesën e Ervis Lamit, i cili u shpall në kërkim për armëmbajtje pa leje, vetëm një ditë pas krimit.
Ndaj Lamit rëndon akuza e armëmbajtjes pa leje, për shkak se pas ekzekutimit të Vishës, iu gjetën në banesë një automatik me silenciator dhe municion luftarak, përgjatë kontrolleve për gjetjen e autorit të vrasjes.
Gazetari Igli Çelmeta raporton se gjithashtu janë kontrolluar edhe banesat e familjarëve të Lamit.
Kush është Ervis Lami
Ervis Lami, gjatë seancës gjyqësore në Gjykatën e Korçës në korrik 2014, ka marrë përsipër të gjithë përgjegjësinë e organizimit të planit të arratisjes nga burgu i Drenovës i Admir Tafilit dhe 6 të dënuarve të tjerë me burgim të përjetshëm.
Ai është vetëfajësuar duke marrë mbi vete planifikimin dhe organizimin e arratisjes së 23 nëntorit të vitit 2013. Sipas tij, gjithçka e kishte zanafillën në kohën kur ai ishte bashkëvuajtës me Admir Tafilin, në Burgun 313. Fillimisht përfaqësuesi i akuzës ka bërë një kronologji të ngjarjes në atë kohë duke sqaruar se nga hetimet kishte rezultuar se në realizimin e arratisjes ishte vënë në dispozicion një shumë e konsiderueshme në euro nga Genc Tafili, vëllai i të akuzuarit për vrasje për hakmarrje.
Ai kishte kryer një transfertë në emër të Bledian Dedës dhe me këto para u blemë frigoriferët dhe armët në tregun e zi. Por, Ervis Lami, në gjyq, përjashtoi të akuzuarit e tjerë nga organizimi i planit. Sipas deklarimeve të Ervis Lamit, zanafilla e planit të arratisjes kishte nisur pas dënimit të Admir Tafilit dhe ai e kishte realizuar çdo lëvizje i vetëm, duke arritur të thyente kështu një prej institucioneve më të sigurta në vend.
Duke përshkruar me detaje të imtësishme, Ervis Lami ka rrëfyer çdo lëvizje që kishte kryer deri në zbatimin e planit të arratisjes nga i cili mundën të kapërcejnë rrethimin 7 të burgosur me dënime kapitale. Futja e armëve, sipas tij, ishte bërë me frigoriferë të cilët janë fabrikuar në Shkodër, ndërsa bomba e cila u hodh në afërsi të komisariatit ishte blerë në Korçë.
“Këta janë të gjithë shokët e mi, por nuk kishin lidhje me arratisjen. Unë kam qenë i dënuar më parë për vrasje të mbetur në tentativë dhe dua të sqaroj gjykatën se arratisjen e 23 nëntorit e realizova unë. Plani për këtë arratisje nisi në Burgun 313 kur unë dhe Tafili ishim bashkëvuajtës. Kur ai u dënua me pa të drejtë me burgim të përjetshëm, më erdhi vërtet keq dhe i premtova që do e ndihmoja të arratisej. E dija që ai është i pafajshëm ndaj dhe isha i vendosur për ta ndihmuar, aq më tepër kur i kisha dhënë fjalën. Organizuam planin, por armët në frigorifer janë montuar në një fabrikë në Shkodër. Mënyra si ato armë janë montuar brenda frigoriferit nuk mund të bëhen me dorë, por në fabrikë”, ka deklaruar Lami.
Ai vazhdoi më tej, duke rrëfyer se e kishte çuar frigoriferin në Burgun e Drenovës, me destinacion dhomën e të dënuarit të përjetshëm, Admir Tafili.
“Jam po unë ai që bleva dhe bombën për të çorientuar policinë. Kështu më orientoi Tafili dhe natyrisht që unë kështu veprova. E bleva në Korçë te një person me 400 mijë lekë të vjetër, ishte me telekomandë. Shokët e mi kanë vendosur vetëm gozhda në rrugë, në vendin ku do kalonte policia, thjesht për të penguar makinat e policisë që arratisja të ishte sa më e lehtë”.