Vrasja e Martin Canit/ Dyshimet për dy autorë, avokati kërkon riekspertizë! Ç’ndodhi në seancën me dyer të mbyllura, Mario Përlleshaj kërkoi gjykim të shkurtuar, por u refuzua

NIKOLETA KOVAÇI/ I mituri Mario Përlleshi është i vetëm në bankën e të akuzuarve për vrasjen me thikë të bashkëmoshatarit të tij, Martin Cani.


Ngjarja që tronditi mbarë opinionin publik ka mbetur ende me pikëpyetje të mëdha për procesin e hetimit, ndonëse ditën e djeshme ka nisur edhe gjykimi i këtij akti të rëndë. Në sallën e gjyqit i pranishëm ka qenë edhe i mbijetuari i asaj përleshjeje fatale për jetën e Martinit, ndërkohë që avokati që mbron interesat e familjes së viktimës i është rikthyer sërish faktit të dyshimtë që në sulmin ndaj dy djemve kanë qenë dy autorë dhe jo një, siç është thënë nga policia dhe më pas edhe nga prokuroria.

Vonesat për të hedhur dritë mbi aktin makabër bënë që ngjarja të mbulohej me hije të shumta, por si përfundim, prokuroria nuk gjeti dhe as shpalli autor tjetër përveç Marios. Por seancat gjyqësore po mbahen me dyer të mbyllura për shkak të moshës së autorit, ndërsa gjykata rrëzoi kërkesën e avokatit të të akuzuarit për gjykim të shkurtuar.

SEANCA E PARË

Ditën e djeshme gjyqtarja e seksionit për të mitur, Migena Laska, vendosi të kalojë për gjykim dosjen për vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani pranë shkollës “Fan Noli”, 18 nëntorin e vitit 2024. I dyshuari, bashkëmoshatar me të ndjerin, u paraqit në seancë paraprake i shoqëruar nga babai dhe avokati, ku përmes tij kërkoi gjykim të shkurtuar. Kjo kërkesë u rrëzua nga gjykata e Tiranës, me argumentin se vepra penale “vrasje në rrethana cilësuese” nuk e parashikon këtë lehtësi procedurale, që shkurton afatet e gjykimit dhe në rast dënimi i ul vitet e ndëshkimit me 1/3-ën.

Në seancën e zhvilluar në prani të psikologes për shkak të moshës së mitur të të pandehurit, pala mbrojtëse që përfaqëson familjen e Martin Canit, kërkoi riekspertizë nga mjekësia-ligjore, me argumentin se 14-vjeçari është goditur nga 2 autorë dhe jo vetëm nga i arrestuari. Prindërit e Martin Canit, Ëngjell dhe Florina Cani e ndoqën me interes seancën ndërsa miku i djalit të tyre, i cili mbeti i plagosur gjatë përleshjes pranë shkollës, shkurt tha se pret drejtësi.

“Nuk e kam përjetuar mirë seancën, por dua të them se kërkojmë drejtësi. Jam gjithnjë i gatshëm të dëshmoj në gjyq nëse më kërkohet”.

Gjyqtarja Migena Laska vendosi që i gjithë procesi gjyqësor të mbahet me dyer të mbyllura, pa praninë e medias, për shkak se të përfshirët janë të mitur. Martin Cani mbeti i vrarë me thikë gjatë një përleshje me shokun e shkollës pas disa konflikteve të nxitura në rrjetet sociale, çka pasoi edhe me vendimin e qeverisë për të mbyllur “TikTok”-un.

Nga sherri vetëm 200 metra larg 9- vjeçares “Fan Noli”, mbeti i plagosur edhe shoku që Martin Cani thërriti në mbështetje, i cili vazhdimisht ka pretenduar se e goditi pas shpine një autor i dytë, djali i një agjenti të BKH-së, për të cilin policia zyrtarisht ka deklaruar se në momentin e vrasjes, ishte larguar nga përleshja dhe se nuk ka pasur një thikë të dytë në vendngjarje.

Në fakt, edhe në përpjekjet e policisë dhe në atë pak material hetimor të prokurorisë që rreken të sqarojnë momentin fatal të vrasjes së Martinit është thënë se autori ishte i rrëzuar dhe i plagosur kur goditi Martinin dhe shokun e tij. Megjithatë, djali i mbijetuar do të jetë pjesë e procesit dhe do të dëshmojë sërish mbi gjithçka ka mbajtur mend nga ajo përleshje që i mori jetën djalit që ëndërronte të bëhej futbollist.

/Gazeta Panorama

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme