Në një rrëfim prekës për gazetaren Anila Sulaj Ahmataj të emisionit “Me Zemër të Hapur” në News24, Florina Cani, nëna e 14-vjeçarit Martin Cani, i cili u vra pranë shkollës “Fan Noli” në Tiranë, ka ndarë dhimbjen e thellë që familja po përjeton, si dhe mungesën e çdo reagimi institucional pas tragjedisë.
Sipas saj, ngjarja tragjike mund të jetë shkaktuar nga konflikte të moshës, ndjenja xhelozie apo përpjekje për t’u dukur më i fortë nga ana e autorit të krimit.
“Dyshoj se xhelozia apo ndonjë konflikt moshe, një mburrje për t’u dukur më i fortë, e çoi situatën deri në tragjedi. Martini ishte djalë i mirë, i hapur dhe i përzemërt me të gjithë. Besoj se pikërisht kjo natyrë e tij ka krijuar përplasje,” u shpreh ajo.
Florina Cani shprehu zhgënjimin e saj për qëndrimin e shkollës ku Martini kishte qenë nxënës për nëntë vite, duke thënë se nuk ka pasur asnjë reagim apo ngushëllim nga stafi arsimor.
“Shkolla nuk ka reaguar kurrë. Kanë kaluar muaj dhe askush nuk na ka kontaktuar, nuk ka ardhur asnjë për të shprehur qoftë edhe një fjalë ngushëllimi. Dhe kjo na ka lënduar shumë,” theksoi ajo.
Nëna e Martin Canit ndau gjithashtu emocionet për një iniciativë të ndërmarrë nga familja për nder të djalit, ngritjen e një muzeu të vogël në shtëpi për të ruajtur çdo kujtim të tij të gjallë.
“Ishte ideja e bashkëshortit tim. Unë nuk mund të perceptoja asgjë pas gjithë asaj që ndodhi. E vendosëm ta bënim bashkë, si një mënyrë për ta pasur Martinin gjithmonë pranë, sidomos edhe për vëllain e tij, Henrin. Jeta është një sprovë shumë e rëndë,” u shpreh ajo me lot në sy.