Detaje të reja publikohen nga vrasja e trefishtë në mbikalimin e Fushë-Krujës, ku mbetën të vdekur Diklen Vata, Besmir Hoxha dhe Brilant Martinaj.
Sipas News24, autorët pasi kanë vrarë tre personat, i kanë vendosur flakën makinës me lëndë djegëse.
Nga informacionet e raportuara më parë, 3 prej autorëve dolën nga automjeti i tyre dhe kanë qëlluar për herë të dytë Diklen Vatën. Ky i fundit ishte i ulur në sediljen e pasme të automjetit tip “Passat”, ku pas atentatit, doli nga makina dhe tentoi të largohej.
Pasi e ekzekutuan, autorët dyshohet t’i kenë vënë flakën automjetit dhe janë larguar nga vendngjarja.
Forcat RENEA dhe FNSH ka nisur kërkimet në fshatin Larushkë ku u gjet makina e djegur e autorëve por edhe në Nikël të Krujës, pasi dyshohet se autorët janë prej këtij fshati. Në brendësi të automjetit të viktimave nuk janë gjetur as mjetet e identifikimit por ka dyshime se edhe viktimat kanë qenë të armatosur.
Është një informacion paraprak dhe nuk përjashtohet fakti se mund të ketë pasur një shkëmbim zjarri midis Diklen Vatës dhe autorëve të ngjarjes. Kjo pasi ka dyshime se në vendngjarje janë gjetur tre lloje të ndryshme gëzhojash, ndërsa në automjetin e djegur të autorëve ndodheshin vetëm dy armë të ndryshme të tipit kallashnikov./GSH



