Teksa policia kriminale është vënë në ndjekje të Daniel Gjanës dhe Bekim Bulicës, si persona të dyshuar që kanë marë pjesë në vrasjen e 20-vjeçarit portugez, Luis Miguel Varela Mendes në Ksamil, kjo ngjarje nxori në sipërfaqe probleme të tjera lidhur me përfitimin e pronësisë së tokës dhe ndërtimin e paligjshëm të këtij biznesi.
Pronari në “hije” i lokalit të natës “Principotes”, Bekim Bulica, dyshohet se ka tjetërsuar një pjesë të mirë të sipërfaqes së tokës, mbi të cilën ka ndërtuar dhe lokalin pa lejë, në një nga zonat bregdetare më të mira të Shqipërisë.
Paralelisht me lokalin, Bulica, nga Kolesjani i Kukësit mbi këtë sipërfaqe toke ka kryer dhe gërmime, duke përshtatur një pjesë të sipërfaqes së tokës për parkim.
Rasti është referuar në prokurorinë e Sarandës për të kryer hetime, por ky organ akuze, as nuk e ka vënë “ujin në zjarr” për të qartësuar konfliktin e pronësisë të lindur mes trashëgimtarëve të vjetër të pronës dhe pronarit aktual Bekim Bulica, që tashmë është shpallur në kërkim nga policia.
Gazetari Elton Qyno ka mësuar se lidhur me pronësinë e truallit është depozituar në prokurorinë e Sarandës edhe një kallëzim penal ndaj subjektit privat “Principotes”, por kjo prokurori asgjë nuk ka lëvizur për të vendosur Drejtësi, mbi këtë konflikt pronash në Ksamil.
Kallëzimi në prokurori është depozituar nga Latif Çoçoli, njëri nga përfaqësuesit e trashëgimtarëve të, Sokrat Çoçolit, të cilët pretendojnë se kanë me dokumenta të ligjshme pronësinë e tokës ku është ndërtuar pa lejë, lokali “Principotes”.
Sipas dokumentave të siguruara, rezulton se prokuroria e Sarandës nuk ka arritur të kryejë verifikime konkrete për të konstatuar “Shkatërimin e pronës” dhe “Pushtimin e pronës private”.
Sipas kallëzimit të Lefter Çoçolit pasuria e ndodhur në Ksamil dhe ka një sipërfaqe prej 8800 metra katror. Në dokumenta thuhet se:
“…kallëzuesit e mësipërm janë pronarë legjitim të pronave të ndodhura në zonën Ksamilit në qytetin e Sarandes. Prona të cilat i kanë fituar me Vendimin nr.321. datë 9 Gusht 1996, bashkëlidhur dhe hartat treguese të vendodhjes së këtyre pronave në zonën e Ksamilit dhe sipërfaqet respektive të tyre, në rastin konkret kemi të bëjmë me një mënyrë të prejardhur të fitimit të pronesise. Sipas planit të Rilevimit, Trashëgimtarët e Selfo Çoçolit, janë pronarë të sipërfaqes prej 8800 m2, pronë e trashëgtimtarëve të Selfo Çoçolit me nr.pasurie 2297, e cila kufizohet në Veri me pasurin 5/445, në Lindje me 2 rrugë, ne Jug me 2 rrugë dhe në Perëndim me pasuritë me nr.5/284 dhe5/198. Sipas hartës shpjeguese të bashkëlidhur shkresës së së Agjensisë të Trajtimit të Pronave, rezulton se sipërfaqja prej 8800 m2 kufizohet në Veri me detin Jon 15 M-L, në Lindje me truall shtet në Jug me rrugë automobilistike dhe në Perëndim me rrugë automobilistike…”.
Në të gjitha këto dokumenta të cilat janë vënë në dispozicion nga Institucionet Shtetërore, këto prona rezultojnë të lira gjë e cila bie ndesh me verifikimin në terren të kryer nga ana e kallëzuesve, pasi kanë konstatuar që një pjesë e konsiderueshme e kësaj sipërfaqeje është zaptuar në mënyrë të padrejtë nga subjekti privat “PRINCIPOTES”, i cili ka si objekt të veprimtarisë: “…Ofrimin e shërbimeve në fushën e Bar-Kafe, Restorant, Hotel, Mirëmbajtje Plazhi, Club dhe Parking…”.
Ky subjekt ka përvetesuar dhe po posedon për vite me radhë, në mënyrë të padrejtë një pronë të ndërtuar mbi një sipërfaqe toke e cila ka pronarë dhe nuk është një tokë djerrë.
Në kallëzim thuhet se: “…e drejta e pronësisë është një e drejtë e fituar me ligj që në asnjë moment nuk shuhet përveç rastit kur vetë pronari i saj vendos të transferojë tagrat e tij të pronësisë. Me rastin konkret jo vetëm që kjo gjë nuk ka ndodhur, por as nuk është menduar të ndodhë. Ky subjekt privat jo vetëm që ka ngritur një ndërtesë mbi këtë truall, por po vazhdon ende gërmimet për të krijuar sipërfaqe të lirë të cilën ka prespektivën për ta kthyer në një parking privat…”.
Sipas dokumentave Kadastrale (arkivore) të origjinës së pronës, rezulton se prona është një sipërfaqe trualli e lirë, e kthyer me vendimin nr.321 të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave me sipërfaqe 8800 m2 ne pronësi të Selfo Çoçolit dhe trashëgtimtarëve të tij.
Çdo vendim i dhënë nga Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, i cili nuk është ankimuar brenda afateve ligjore merr formë të prerë dhe është i detyrueshëm për të gjithë subjektet madje nuk mund të kufizohet, as për hir të interesave public, fakti i cili është mbeshtetur dhe nga vendimi nr.27, i 26 Majit 2010 i Gjykates Kushtetuese.
Më tej në kallëzimin penal të paraqitur në prokurorinë e Sarandës, thuhet se: “…ne si pronarë legjitim nuk po arrijmë të gëzojmë pronën tonë, sepse ajo është zaptuar me pa të drejtë nga nje subject privat, i cili në dukje shfaqet si pronar por faktikisht nuk është i tillë bazuar dhe në provat e bashkëlidhura, prandaj kërkojmë nga ana juaj të na vini në dispozicion mbi çfarë leje operon ky subjekt në pronën tonë i regjistruar ne QKB dhe si ka mundësi që nga ana e organeve shteterore nuk kryhet asnjë verifikim dokumentacioni…?”. / Elton Qyno
The post Vrasja e turistit portugez/ Ndërtimi i ‘Principotes’ i Bekim Bulicës qëndron mbi një truall 8800 m2, pronarë trashëgimtarë… appeared first on Gazeta Shqiptare Online.



