Bekim Bulica është shpallur në kërkim pas vrasjes së turistit Miguel Mendes në Ksamil. Bulica rezulton pronar i lokalit “Principotes” ku ndodhi ngjarja e rëndë, ndërsa autoritetet po hetojnë personat e lidhur me konfliktin dhe rrethanat që pasuan krimin.
Për vrasjen është arrestuar Sokrat Vata, 29 vjeç, i cili u kap disa orë pas ngjarjes në aksin Levan-Fier, i fshehur në bagazhin e një automjeti.
Ndërkohë, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka ndaluar edhe Moisid Matushajn, specialist hetimi në Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Gjirokastër. Matushaj punonte gjithashtu si bodyguard në të njëjtin grup sigurie me Vatën dhe dyshohet se ka qenë i përfshirë në konfliktin që parapriu vrasjen dhe se e ka ndihmuar atë të largohej nga vendngjarja.
Emri i Bekim Bulicës është përmendur më herët në materiale të lidhura me hetime dhe informacione për trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim parash. Autoritetet franceze kishin përcjellë drejt institucioneve shqiptare të dhëna për një rrjet shqiptar të shpërndarjes së kokainës në Paris, me të cilin lidhej emri i Bulicës.
Po sipas këtyre informacioneve, BKH kishte nisur verifikime për pastrim parash, ndërsa SHISH kishte raportuar më herët pranë institucioneve për aktivitetin e Bulicës.
Tashmë, pas vrasjes së turistit francez në Ksamil, Bekim Bulica është shpallur në kërkim, ndërsa hetimet vijojnë për të përcaktuar rolin e tij dhe të personave të tjerë në ngjarje.
The post Vrasja e turistit portugez/ Shpallet në kërkim pronari i “Principotes”, Bekim Bulica appeared first on Gazeta Shqiptare Online.



