Vrasja e Vajdin Lames, GJKKO pushon çështjen ndaj Lulzim Berishës e Plaurent Dervishajt për mungesë provash

Me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme antikorrupsion pushoi çështjen ndaj Lulzim Berishës dhe Plaurent Dervishaj për vrasjen e biznesmenit Vajdin Lame.


Kjo është hera e dytë që Prokuroria e Posaçme vjen me kërkesë për pushimin e çështjes, me argumentin se nuk ka prova që implikojnë këta dy persona në vrasjen e Lames.

Herën e parë, trupa e gjykimit ia ktheu kërkesën prokurores Elida Kaçkini, duke kërkuar nga kjo e fundit hetime shtesë. Akuza ndaj Lulzim Berishës dhe Plaurent Dervishaj u ngrit pas dëshmisë së bashkëpunëtorit të drejtësisë Luftar Reçi. Ky i fundit i hapi probleme emrave të njohur të botës se krimit, që vepronin kryesisht në Tiranë, Durrës e Vlorë.

Disa vite më parë, në tre rrëfime, Reçi foli për të gjithë veprimtarinë kriminale të Berishës dhe  anëtarëve të tjerë të bandës së tij. Vajdin Lame, presidenti i Federatës së Boksit dhe miku i tij Artan Arsi u vranë në 27 shkurt të vitit 2005, në njërën nga kullat pas stadiumit “Qemal Stafa”.

Lame dhe Arsi u ekzekutuan me një sasi eksplovizi e cila ishte vendosur ne ashensorin e pallatit ku jetonte Vajdin Lame. Ky i fundit vdiq në vend ndërsa Artan Arsi ndërroi jetë rrugës për spital.

Për ngjarjen e shkurtit të vitit 2005, janë marrë të pandehur Emiljano Shullazi, Indrit Rusi, Viktor Ymeri dhe Indrit Taullai.

Njoftimi i GJKKO

NJOFTIM PËR MEDIAT

1. Kërkuesi Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me datë 23.09.2024 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Pushimin e hetimeve në kuadër të procedimit penal nr. 252/1/1, të vitit 2022 në ngarkim të personave nën hetim Lulzim Berisha dhe Plaurent Dervishaj, proceduar për kryerjen e veprave penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose më shumë personave, të kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, në dëm të shtetasve **** dhe ****, parashikuar nga nenet 79/dh, 28/4, 333/a/2 dhe 334/2 të Kodit Penal.

2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtare Rudina Palloj, bazuar në nenet 112, 328 pika 1, shkronja dh) dhe 329, pika 3 të K.Pr.Penale, me vendimin Nr. 116, datë 15.10.2024, vendosi:

1. Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me nr. 116 regj.them, datë regjistrimi 23.09.2024.

2. Pushimin e hetimeve në kuadër të procedimit penal nr. 252/1/1, të vitit 2022, të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ndaj personit në hetim Plaurent Dervishaj, hetuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose më shumë personave, e kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 79/dh, 28/4, 333/a/2 dhe 334/2 të Kodit Penal, në dëm të shtetasve/viktimave **** dhe ****, pasi në referim të nenit 328, pika 1, shkronja dh) të K.Pr.Penale, nuk provohet se e ka kryer veprën penale për të cilën është hetuar.

3. Pushimin e hetimeve në kuadër të procedimit penal nr. 252/1/1, të vitit 2022, të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ndaj personit në hetim Lulzim Berisha, hetuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose më shumë personave, e kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 79/dh, 28/4, 333/a/2 dhe 334/2 të Kodit Penal, në dëm të shtetasve/viktimave **** dhe ****, pasi në referim të nenit 328, pika 1, shkronja dh) të K.Pr.Penale, nuk provohet se e ka kryer veprën penale për të cilën është hetuar.

4. Kundër vendimit mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, sipas parashikimeve të nenit 329/b, pika 6 dhe 329, pika 6 të K.Pr.Penale, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të arsyetuar.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme