Hetimet për vrasjen makabre të 22-vjeçares shqiptare Ilaria Sula po thellohen, ndërsa autoritetet italiane kanë zgjeruar rrethin e hetimeve përtej prindërve të autorit të dyshuar, Mark Antony Samson, duke përfshirë edhe të afërm të tjerë të tij. Lajmi raportohet nga Corriere della Sera.
Hetuesit tashmë po shqyrtojnë mundësinë që jo vetëm nëna dhe babai i 23-vjeçarit, por edhe persona të tjerë nga familja, të kenë ndihmuar në fshehjen e trupit të vajzës, e cila u vra me thikë, u vendos në një valixhe dhe u hodh nga një shkëmb në zonën e Capranica Prenestina.
Gënjeshtra e parë bie, vijojnë hetimet për babanë
Mark Samson fillimisht kishte pretenduar se kishte vepruar i vetëm dhe se prindërit nuk ndodheshin në shtëpi. Por nëna e tij ka rrëfyer më vonë se e kishte ndihmuar për të pastruar gjakun pas krimit. Hetimet për babanë mbeten të hapura, pasi ekzistojnë dyshime serioze se ai mund të ketë qenë i pranishëm gjatë ose pas vrasjes.
Celulari dhe gjurmimi i viktimës
Një element kyç në zbardhjen e krimit është përmbajtja e telefonit të autorit, i cili kishte tentuar të merrte laptopin e ish-të dashurës para se ta vriste, si dhe kishte zhdukur telefonin e saj. Pas krimit, ai kishte dërguar mesazhe në emrin e Ilarias dhe kishte postuar në rrjetet sociale në llogarinë e saj, në një përpjekje për të maskuar vrasjen.
Një nga shoqet e Ilarias ka deklaruar se Mark e kishte përndjekur fshehurazi disa herë gjatë kohës kur lidhja e tyre ishte në krizë. Kjo ka ngritur dyshime se vrasja mund të jetë pasojë e një përndjekjeje të vazhdueshme që viktima nuk kishte ndarë me miqtë e saj.
Pamjet filmike dhe makina e familjes
Hetuesit po analizojnë pamjet nga kamerat e sigurisë përgjatë rrugës ku dyshohet se Samson transportoi trupin e pajetë. Deri tani, një fuoristradë që i përket familjes së tij është identifikuar dy herë në atë zonë më 26 mars, mes orës 18:00 dhe 19:00. Megjithatë, mungesa e kamerave rreth shtëpisë së autorit e vështirëson hetimin për të identifikuar personat që ndodheshin brenda mjetit.
Gjurmët e gjakut dhe prania e mundshme e babait
Gjatë kontrolleve të përsëritura në banesë, janë gjetur gjurmë gjaku në dhoma të ndryshme, në mobilje dhe veshje, përfshirë edhe në një palë këpucë. Shpërndarja e gjurmëve mund të provojë praninë e babait në shtëpi gjatë orëve kritike, kur Ilaria ndodhej ende aty – e gjallë ose tashmë e vrarë.
Autopsia dhe misteri i orës së vdekjes
Autopsia ka zbuluar se Ilaria ka pësuar tre plagë të rënda me thikë në qafë, të cilat i shkaktuan vdekjen për shkak të hemorragjisë. Ajo kishte edhe plagë mbrojtëse në krahë, që tregojnë se është përpjekur të mbrohej. Stomaku i saj ishte bosh, çka sugjeron se vrasja ka ndodhur para vaktit të darkës ose mëngjesit.
Për momentin, autoritetet nuk kanë një orë të saktë të vdekjes, por përcaktimi i saj do të ishte vendimtar për të provuar nëse Samson kishte bashkëpunëtorë në krim.