Disa ditë pas krimit makabër në Fier, ku mbeti i vrarë i mituri Mateo Vasiu nga
Klodian Çalamani, kanë dalë në dritë detaje të reja nga ngjarja e rëndë.
Grupi hetimor është i rezervuar për të dhënë detaje, por burime tregojnë se së bashku me Klodian Çalamanin ka qenë dhe një grua. Ndërkohë, familjarët kanë dëshmuar se prej ditësh djali kishte treguar se dinte një sekret, të cilin nuk ia tha askujt.
Pas këtyre dëshmive, grupi hetimor, është rikthyer përsëri në banesën e Klodian Çalamanit. Hetuesit kanë këqyrur me imtësi banesën, vendin ku u gjet i vrarë i mituri si dhe ambientin përrreth, për të siguruar prova të reja të cilat mund të hedhin dritë mbi dyshimet e familjarëve të të miturit.
Ndërkohë, sot janë publikuar në media edhe pamje nga banesa e autorit të krimit të rëndë. Pamjet dëshmojnë kushtet në të cilat jetonte Klodian Çalamani, i cili kishte precedent të theksuar kriminal dhe rrezikshmëri të lartë shoqërore.