Vrasja makabre në Gjinekologji dhe reagimet : Gruaja shtatzëne ishte 35 vjeç

Burri vret grua e tij shtatzënë në oborrin e QKUK-së, para repartit të Gjinekologjisë. Lajmi për Insajderi e ka konfirmuar Policia e Kosovës.

Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe ekipi mjekësor të cilët kanë konstatuar vdekjen  e viktimës, femër, rreth 35 vjeç

“Rreth orës 18:00, kemi pranuar informatën për një trup të pajetë, në oborrin e QKUK-së në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe ekipi mjekësor të cilët kanë konstatuar vdekjen  e viktimës, femër, rreth 35 vjeç. Mbështetur në informacionet e para, dyshimet e ngritura sugjerojnë se bëhet fjalë për vrasje. Aktualisht policia në koordinim me prokurorin e  shtetit ka nisur një hetim  dhe  po vijon ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, me qëllim  sqarimin e plotë të ngjarjes”, thuhet ne njoftimin e PK-së.

Reagimet për vrasjen e gruas shtatzënë

Pas vrasjes së gruas shtatzënë, e cila të mërkurën mbrëma, para Klinikës së Gjinekologjisë, është qëlluar nga bashkëshorti, më të cilin ka qenë në proces të ndarjes, kanë reaguar edhe zyrtarë të partive opozitare.

Krasniqi: Dhuna në bazë gjinore, alarm urgjent për institucionet

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka shkruar në Facebook se dhuna me bazë gjinore është alarm urgjent për të gjitha institucionet e shtetit.

“Tragjike, mizore, çnjerëzore! Pa fjalë nga krimi në QKUK, ku një burrë dyshohet se ka vrarë ish-gruan e tij shtatzënë. Ngushëllimet më të thella familjes për humbjen e familjares së tyre. Megjithëse është vështirë të gjendet dënim që shpaguan këtë krim makabër, ftoj organet e drejtësisë të reagojnë me tërë fuqinë dhe kompetencën e tyre ndaj autorit. E kam thënë ditë më parë, po e përsëris edhe sonte: dhuna me bazë gjinore është alarm urgjent për të gjitha institucionet e shtetit. Duhet të veprohet sot. Shpejtë. Pa kompromis”, ka shkruar Krasniqi.


Abdixhkiu: Vrasja e grave ka marrë karakter nacional

Sipas një komunikate për media të LDK-së, Abdixhiku ka theksuar se kjo dukuri ka marrë karakter nacional.

“Sërish një grua, në javën e fundit të shtatzënisë, bëhet viktimë e një krimi monstruoz. Kjo më s’është gjendje normale; e ne nuk mund të normalizojmë vetëm me reagime këtë alarm nacional që na shpërfaqet në mënyrën më çnjerëzore të mundshme para sysh tani nga dy herë në javë. Fjalët tani humbin peshën. Asgjë çfarë themi sot nuk kthen prapa jetën e shuar të një gruaje të pambrojtur e jetën e pa nisur të një fëmije. Si prind e familjar ndjej dhimbje dhe mllef për humbjen e trishtë të kësaj mbrëmje. Si pjesë e spektrit politik, ndjej obligimin njerëzor për të luftuar këtë dukuri dhune ndaj gruas që ka marrë karakter nacional tashmë. Ky duhet të jetë misioni ynë parësor sot”, shkroi Abdixhiku.


Haradinaj: Duhet mobilizim i shoqërisë që të parandalohen rastet e tilla

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, është shprehur i tronditur me vrasjen.

Ai ka thënë se nevojitet mobilizim i shoqërisë që të parandalohen raste të tilla.

“I tronditur nga lajmi për vrasjen makabre që ndodhi në SHSKUK. Ky akt i shëmtuar dhe qyqar, kundërshton traditën tonë shqiptare dhe vet logjikën njerëzore. Nuk mjafton vetëm puna e organeve të rendit dhe ligjit, por duhet një mobilizim i joni si shoqëri, në të gjitha nivelet, që të tilla tragjedi të parandalohen e të mos i përjetojmë asnjëherë. Ndajmë dhembjen me familjen dhe të gjithë qytetarët e Kosovës”, ka shkruar ai në Facebook.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme